Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka lëshuar një deklaratë të fortë nga sheshi i protestës, duke komentuar zhvillimet e fundit dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj lëvizjes qytetare e studentore.
Qori u shpreh se kreu i qeverisë ka humbur çdo arsye dhe legjitimitet për të qeverisur vendin, duke theksuar se kërcënimet ndaj të rinjve dhe familjarëve të tyre nuk funksionojnë më. Sipas tij, shqiptarët dhe rinia nuk kanë më çfarë të humbasin nën këtë sistem, ndaj dhe rezistenca është shndërruar në një domosdoshmëri.
Kreu i Lëvizjes Bashkë nënvizoi se situata aktuale dëshmon dështimin e strukturave tradicionale dhe se vendi po lëngon nën thundrën e korrupsionit dhe oligarkisë. Në përmbyllje të fjalës së tij, ai i bëri thirrje çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë t’i bashkohet protestës për t’i dhënë fund këtij cikli politik.
“E morët vesh çmendurinë e fundit të Edi Ramës? Në një vend ku nuk ka trena, ai do t’u ndalë protestuesve, të rinjve në protestë, që nesër të hypin në trena. Edi Rama e ka humbur arsyen, Edi Rama e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur, Edi Rama e ka humbur edhe kapacitetin për të qeverisur. Ai nuk i kërcënon dot të rinjtë, sepse të rinjtë nuk kanë as sotme, as të ardhme në Shqipëri nën qeverisjen e Edi Ramës. Edi Rama ua ka marrë gjithçka, iu ka marrë gjithçka popullit shqiptar dhe prandaj, kjo rini që nuk ka më asgjë për të humbur, por të ardhmen e vet për të fituar, është ngritur masivisht dhe si asnjëherë tjetër në protestë. Madje, edhe thirrjet e Ramës që prindërit t’i kërcënojnë fëmijët që mos dalin në protestë nuk funksionojnë, sepse prindërit janë bashkë me fëmijët, sepse edhe ata e dinë që është i pajetueshme Shqipëria nën thundrën e Edi Ramës, nën thundrën e korrupsionit, të oligarkisë dhe të krimit të organizuar. Prandaj unë i bëj thirrje gjithëve, çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, të bashkohet në këtë protestë, sepse vërtet Edi Ramës dhe sistemit të vjetër politik dhe oligarkik po i vjen fundi”, u shpreh ai.
