Në ditën e 47-të të revoltës popullore përpara selisë së qeverisë, fjalimet e aktivistëve kanë vijuar me tone mjaft të ashpra ndaj të gjithë klasës politike që ka qeverisur vendin në këto dekada pluralizëm. E pranishme në bulevard, aktivistja Sidorela Vatnikaj ka mbajtur një fjalim të fortë, ku ka kërkuar fundin e tranzicionit dhe hetim të thelluar për kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Sipas Vatnikajt, ky shesh ka mbajtur një qëndrim të palëkundur përballë asaj që ajo e quajti një klasë politike unike të korruptuar, e cila ka ndërruar vetëm krahët por asnjëherë nuk ka lëshuar pushtetin.

Aktivistja u shpreh se kreu i qeverisë nuk duhet të trajtohet thjesht si kryeministër nga organet e drejtësisë, por si udhëheqësi i një strukture të mirëfilltë kriminale.

“Ky shesh e ka treguar qartë qëndrimin e vet ndaj klasës së korruptuar politike 36-vjeçare. Kemi qenë këtu çdo ditë për të thënë se jemi këtu për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar me një klasë të vetme të korruptuar politike, që vetëm ka ndërruar anën, por asnjëherë nuk ka lëshuar pushtetin! Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë!” deklaroi Vatnikaj përpara protestuesve.

Më tej, ajo u ndal te marrëdhënia e protestës me organet e reja të drejtësisë, duke theksuar se mbështetja e qytetarëve ndaj SPAK dhe GJKKO vjen gjithmonë me kërkesën për llogaridhënie maksimale dhe pa asnjë kompromis ndaj pushtetarëve të lartë.

“Kemi qenë dhe jemi në mbështetje të punës së SPAK dhe GJKKO, por jo me sy mbyllur, por me kërkesë: Hetoni Ramën, arrestoni Ballukun! Hetoni të gjithë të korruptuarit, ata që për 36 vite kanë futur duart në xhepat tanë!” përfundoi fjalën e saj aktivistja në mes të brohoritjeve të qindra qytetarëve në bulevard.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb