Në datat 1 deri më 5 Qershor 2026, Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR do të zhvillojë edicionin e tij të trembëdhjetë në kryeqytet, duke e kthyer edhe një herë Tiranën në një hapësirë të hapur dialogu artistik, ku kinemaja takon publikun nën qiellin e hapur të qytetit.
Pas një tradite tashmë të afirmuar në skenën kulturore shqiptare dhe një rruge të konsoliduar ndërkombëtare, DEA OPEN AIR vjen këtë vit me moton “Qiell i hapur. Mendje të hapura!”, duke e vendosur në qendër të programit fuqinë e kinemasë për të ndërtuar ura komunikimi ndërmjet kulturave, brezave dhe mënyrave të ndryshme të të parit të botës.
Edhe këtë vit, festivali mbetet besnik ndaj konceptit OPEN AIR, duke ofruar eksperiencën e veçantë të shikimit kolektiv të filmit në ambiente të hapura, ku arti, qyteti dhe publiku krijojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të gjallë. Ceremonia Zyrtare e Hapjes dhe mbrëmjet kryesore të konkurrimit të Filmit me Metrazh të Gjatë do të zhvillohen në Kinema DEA OPEN AIR 1 – Amfiteatri i Universitetit të Arteve ose, në rast kushtesh atmosferike të pafavorshme, në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve.

Programet konkurruese të Filmit të Shkurtër dhe Filmit Studentor, si edhe një pjesë e projeksioneve të Filmit me Metrazh të Gjatë, do të zhvillohen në Kinema DEA OPEN AIR 2 – Salla e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke krijuar një hartë dinamike projekcionesh dhe takimesh artistike përgjatë pesë ditëve të festivalit.
Në garë për Çmimet DEA, komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e sivjetëm gjithsej 40 filma nga 25 vende të botës, prej të cilëve 7 në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë ose konkurrimin kryesor, 15 në Seksionin e Filmit të Shkurtër dhe 18 në Seksionin e Filmit Studentor.
Në konkurrimin kryesor të sivjetëm marrin pjesë 7 filma me metrazh të gjatë nga vende dhe tradita të ndryshme kinematografike, përfshirë Turqinë, Poloninë, Holandën, Kirgistanin, Italinë, Spanjën, Finlandën, Kinën, Hong Kongun dhe SHBA-në. Programi i Filmit me Metrazh të Gjatë sjell vepra që eksplorojnë tensionet sociale, identitetin, teknologjinë, kujtesën dhe marrëdhëniet njerëzore përmes gjuhëve të ndryshme artistike dhe stilistike.
Në Seksionin e Filmit të Shkurtër janë përzgjedhur 15 filma nga Evropa, Azia dhe Amerika Latine, që pasqyrojnë larminë tematike dhe estetike të kinemasë së shkurtër bashkëkohore – nga dramat intime dhe reflektimet sociale deri te eksperimentimet narrative dhe vizuale.
Programi i Filmit Studentor mbledh 18 filma me autorë të rinj nga Shqipëria, Kosova, Spanja, Portugalia, Libani, Irani, Brazili, Hong Kongu, SHBA-ja, Gjermania, Egjipti dhe vende të tjera, duke dëshmuar vitalitetin krijues të brezit të ri të kineastëve dhe rëndësinë e shkollave të filmit si laboratorë të ideve dhe formave të reja artistike.
Të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat FilmFreeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit. Aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit – si në edicionet paraardhëse – gjeografi ndërkontinentale.
Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit Mars.
Edicioni XIII i DEA OPEN AIR synon jo vetëm prezantimin e filmave në konkurrim, por edhe krijimin e një hapësire ndërkombëtare komunikimi mes kineastëve, studentëve, kritikëve, studiuesve dhe publikut. Përgjatë festivalit do të zhvillohen takime profesionale, diskutime dhe aktivitete që nxisin shkëmbimin kulturor dhe reflektimin mbi zhvillimet bashkëkohore të kinemasë.
Në kuadrin e Akademisë DEA, në qendër të programit të sivjetëm do të jetë bashkëpunimi me studentët e Departamentit të Regjisë së Filmit dhe Televizionit të Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Arteve – Prishtinë/Kosovë, si edhe me studentët e degës së Filmit pranë Departamentit të Arteve të Aplikuara të Universitetit Europian të Tiranës. Në frymën e shkëmbimit artistik dhe dialogut krijues ndërmjet të rinjve të rajonit, studentët pjesëmarrës do të angazhohen gjatë ditëve të festivalit në një laborator praktik krijimtarie audiovizive, i cili do të ketë në qendër qytetin e Tiranës dhe marrëdhënien emocionale të artistit me hapësirën urbane.
Të organizuar në grupe pune, studentët do të zhvillojnë dhe realizojnë disa filma të shkurtër me temë “Tirana – dashuria ime”, duke eksploruar përmes kamerës atmosferën, ritmin, kujtesën, arkitekturën, jetën e përditshme dhe dimensionin njerëzor të kryeqytetit shqiptar. Projekti synon jo vetëm ushtrimin praktik të proceseve të xhirimit, montazhit dhe ndërtimit narrativ në kushte intensive produksioni, por edhe krijimin e një vështrimi të ri artistik mbi Tiranën, të parë përmes ndjeshmërisë dhe perspektivës së kineastëve të rinj.
Përgjatë disa ditëve të festivalit, studentët do të punojnë në terren, do të realizojnë intervista, vëzhgime dhe skena filmike në hapësira të ndryshme të qytetit, duke e kthyer vetë Tiranën në një personazh aktiv të rrëfimeve të tyre. Kjo nismë synon të krijojë një urë komunikimi midis qytetit, kinemasë dhe brezit të ri të autorëve, duke nxitur reflektimin mbi identitetin urban, kujtesën kolektive dhe mënyrat bashkëkohore të rrëfimit audioviziv.
Filmat e realizuar në kuadër të këtij projekti do të prezantohen në mbrëmjen përmbyllëse të festivalit, gjatë Galasë së Ndarjes së Çmimeve të Edicionit XIII të DEA OPEN AIR. Përpara artistëve pjesëmarrës, kineastëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të industrisë dhe publikut të pranishëm, këto krijime do të shfaqen si një dëshmi e energjisë krijuese të studentëve dhe e potencialit të bashkëpunimeve artistike rajonale, duke sjellë një portret intim, poetik dhe bashkëkohor të Tiranës.
Edicioni i Trembëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit të Arteve, institucione që krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota.
Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve evropiane të filmit, aktorët, regjisorët, producentët, përfaqësuesit e industrisë, kritikët, studiuesit dhe gazetarët e ftuar i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon.
