NGA:ENIDA HIMAJ* Mëngjesi i ditët së djeshme e ka gjetur familjen e re të Ilva Tares dhe Eduart Selamit me një pjesëtar të ri. Ishte vetë moderatorja që njoftoi të gjithë miqtë dhe ndjekësit e saj në rrjetet sociale për ardhjen në jetë të fëmijës. “Mirë se vjen në jetët tona, Melody. Ilva & Eduard”, ka shkruar gazetarja e mirënjohur në ‘Instagram’.

E natyrisht që për një lajm kaq të gëzueshëm nuk kanë munguar as urimet e të gjithë ndjekësve në foton e vogëlushes. Çifti ka dashur ta bëjë publik lajmin e ardhjes në jetë të fëmijës së tyre të parë. Madje, asnjë kompleks nuk kanë pasur të tregojnë as foton e të porsalindurës Melody. Nga miq dhe familjarë të çiftit kemi mundur të mësojmë se si nëna, ashtu edhe vajza, gëzojnë shëndet të plotë dhe gjithçka ka shkuar më së miri për të dyja. Ilva ka zgjedhur Tiranën për të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, duke ia besuar shëndetin e saj dhe të Melody mjekëve shqiptarë. Dihet që gazetarja e mirënjohur ka sjellë në jetë vajzën me një lindje çezariane, por gjithçka ka kaluar pa komplikacione. Përgjatë pasdites së djeshme, moderatorja ka qenë në gjendje të falënderojë të gjithë miqtë që e kanë uruar për lindjen.

E ndërsa Ilva zgjodhi që këtë moment kaq të rëndësishëm në jetën e një femre ta përjetonte me njerëzit më të afërt, duke mos dhënë shumë detaje për mediat, më “bujar” është treguar, bashkëshorti saj, Eduard Selami. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, deputeti i selisë blu nuk mund ta fshihte gëzimin që i ka sjellë ardhja në jetë e fëmijës së tij të katër.

“Jam shumë i lumtur”, na ka rrëfyer Selami. E ndërkaq, një emër shumë të veçantë kanë zgjedhur për vajzën e tyre çifti i njohur. Një reagim të tillë patëm edhe ne, teksa mësuam emrin e rrallë që kishin zgjedhur. Edhe përgjatë shtatzënisë së gazetares, ne e kishim pyetur deputetin e Partisë Demokratike, nëse kishin menduar për emrin, por në atë kohë, ai zgjodhi të mos japë shumë detaje, duke ia lënë kështu bashkëshortes së tij “ekskluzivitetin” për të zbuluar gjininë dhe emrin e fëmijës. Në prononcimin e tij dhënë për ‘GSH’, deputeti shprehet se edhe emrin kaq të veçantë e ka zgjedhur pikërisht bashkëshortja e tij, Ilva. Historia e çiftit u bë publike në fillim të vitit të shkuar, ku asnjëri prej të dyve nuk e fshehu më marrëdhënien e krijuar.

Ky lajm u bë i ditur pasi çifti e kishte konsoliduar marrëdhënien, madje kishin nisur edhe bashkëjetesën. Menjëherë ra në sy unaza luksoze “Tiffany” që gazetarja mbante në gishtin e fejesës. E ashtu si ndodh gjithnjë pas një lidhjeje të pjekur, çifti ishte gati për të hedhur hapin tjetër, për t’u bërë prindër të një fëmije. Mes moderatores së “Tonight” dhe një prej politikanëve më të spikatur, nuk ka pasur ende një ceremoni martesore. Megjithatë të dy i kanë provuar më parë emocionet e dasmës. Deputeti Selami ka qenë i martuar për disa vite me ish-‘Miss’-in Pegi Vreto, me të cilën ka edhe tre fëmijë. Ai ka jetuar gjatë në Amerikë dhe pas divorcit u kthye në Shqipëri dhe iu rikthye karrierës politike pranë Partisë Demokratike.

Ilva po ashtu jetoi disa vite jashtë Shqipërisë, pas martesës me ish-bashkëshortin e saj jordanez, Majd Nuri Shafiq. Melody është edhe fëmija i parë për këtë çift kaq të spikatur. E duke njohur natyrën korrekte të Ilvës, mendohet se ajo shumë shpejt do t’i rikthehet punës së saj në televizion. Përgjatë gjithë shtatzënisë ajo nuk e ka shkëputur punën me emisionin e saj politik, ndaj dhe shkëputja nga dashuria që ka për ekranin do të jetë e shkurtër. Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë jetë të gjatë Melody dhe shumë urime çiftit!
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: