Federata e Futbollit ka përmbyllur me sukses edicionin e dytë të kursit “Drejtor Teknik Akademie”, i cili nisi në qershor të vitit 2025 dhe u mbyll me ceremoninë e diplomimit në “Shtëpinë e Futbollit”.

17 kursantë, emra të njohur të futbollit shqiptar si Erjon Xhafa, Alpin Gallo, Igli Mumajesi, Algert Hurdha etj., e përfunduan me sukses kursin dhe u diplomuan si “Drejtor Teknik Akademie”.

Në ceremoni morën pjesë Drejtori Teknik i FSHF, Fulvio Pea, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Pano Xhixho, specialistë të Departamentit të Edukimit në FSHF, si edhe i ftuari special, Adrian Dedja, Drejtor Teknik i Akademisë KF Teuta.

Pasi i uroi suksese të gjithë të diplomuarve, Dedja foli edhe për metodologjinë e punës në akademinë KF Teuta, duke vendosur theksin te edukimi i fëmijëve përmes futbollit.

“Ne kemi dalë me një slogan në drejtimin e akademisë dhe slogani është: edukimi vlen më shumë se fitorja. Është i pasqyruar në të gjitha fushat sportive. Një ndër kriteret që ne operojmë sot në punën tonë në akademinë Teuta është edukimi i fëmijëve. Nëse ne do ta bëjmë mirë këtë punë, mendojmë që do t’i bëjmë mirë të gjitha me radhë edhe hapat e tjerë. Në këtë rrugëtim do të ecim përpara për të parë të gjithë procesin e rritjes, zhvillimit dhe formimit të një sportisti me të gjitha karakteristikat që e bëjnë atë të luajë sot futbollin modern”, –  tha Adrian Dedja, Drejtor Teknik i Akademisë KF Teuta.

Ky kurs përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm të Federatës së Futbollit në forcimin e strukturave të akademive dhe rritjen e standardeve profesionale në futbollin shqiptar.

Përmes programeve të edukimit dhe formimit të vazhdueshëm, FSHF synon të investojë në zhvillimin afatgjatë të futbollit të bazës, duke vendosur në qendër edukimin, formimin dhe përgatitjen cilësore të brezave të rinj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb