NGA OLA MITRE

TIRANE- Cikli i dytë i edukimit në vazhdim për profe sionistët e shëndetësisë do të zgjasë 4 vjet, ndërkohë që numri i krediteve që duhet të grumbullojnë gjatë kësaj periudhe ka pësuar ulje në krahasim me ciklin e parë. Gjithçka përcaktohet në një Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit, detyrimin për të mbledhur kredite, përveç mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve do e kenë edhe infermierët, ndihmësfarmacistët dhe mamitë.

Sipas VKM-së, brenda një cikli 4-vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Deri më tani, detyrimi për mjekët ishte 150 kredite, ndërsa për farmacistët dhe stomatologët nga 100 kredite, përgjatë ciklit 5-vjeçar.

Gjithashtu, vendimi saktëson edhe ndarjen në përqindje të krediteve sipas kategorive të aktiviteteve. Kështu, kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti, ato të fituara nga aktivitete të edukimit në distancë duhet të përbëjnë jo më shumë se 50% të numrit të përgjithshëm, ndërsa aktivitetet e vetëraportuara duhet të përllogariten deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara. Sa i takon numrit vjetor minimal të detyrueshëm, për mjekët ai është 10 kredite, ndërsa për farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 5 kredite.

Vendimi saktëson edhe mënyrën sesi do të bëhet njohja dhe regjistrimi i krediteve, procedurën e së cilës e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Sipas vendimit, në programin e ricertifikimit përfshihen të gjithë këta profesionistë (shtetas dhe të huaj), që ushtrojnë detyrën në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe terciar dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Në program nuk përfshihen vetëm profesionistët që punojnë në administratë.

Ndërkohë që, ata profesionistë, të cilët dalin në pension brenda periudhës 4-vjeçare të ciklit dhe që nuk do të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre në sektorin privat, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit për atë cikël. Gjithashtu, mjekët, farmacistët, stomatologët, ndihmësfarmacistët, infermierët dhe mamitë, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4- mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.

Profesionistët, të cilët punojnë me kohë të pjesshme dhe ata që kanë dalë në pension, por vazhdojnë të ushtrojnë profesionin, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit si ata që ushtrojnë profesionin e tyre me kohë të plotë. Sipas vendimit të qeverisë, procesi i certifikimit të ndihmësfarmacistëve, infermierëve dhe mamive do të fillojë nga data 1 janar 2016. Ndërkaq, ashtu sikurse ishte përcaktuar gjatë ciklit të parë, profesionistët e shëndetësisë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e programin e certifikimit, do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit.

(el.sp/Gazeta shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: