Është ndaluar në Kakavijë ish-drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare, Adriatik Onjea i shpallur në kërkim pas ngjarjes së ndodhur më 3 mars kur një punonjës u rrëzua nga kati i dytë i një godine private gjatë kryerjes së punimeve për pastrimin e objektit.
Onjea akuzohet për prishjen e provave dhe shpërdorim detyre.
Adriatik Onjea mbante postin e drejtorit të këtij institucioni në varësi të bashkisë së Gjirokastrës, kur më 3 mars 2025 ndodhi ngjarja. Menjëherë pas saj ai kishte kaluar kufirin dhe po qëndronte në Janinë edhe pse ndaj tij Gjykata kishte caktuar masë sigurie ‘arrest me burg’
Policia ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare. Onjea tani ndodhet në spitalin e burgut në Gjirokastër pasi ka pohuar se ka probleme shëndetësore.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 mars, në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës, ku punonjësi u rrëzua nga kati i dytë i një godine private gjatë kryerjes së punimeve për pastrimin e objektit, i cili ishte sekuestruar nga banka.
Si pasojë e rënies, ai pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës, ku nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë më 10 mars.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Shtetit arrestoi tre persona, të akuzuar për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për dy përgjegjësit teknikë, shtetasit P.C. dhe A.B., ndërsa për shtetasin A.L., me detyrë brigadier, është vendosur masa “arrest në shtëpi”.
