Egjipti zbuloi të dielën thesaret antike të gjetura në vendin arkeologjik Saqqara pranë Kajros, duke përfshirë sarkofagë mbi 3,000 vjeçar, një zbulim që “rishkruan historinë”, sipas egjiptologut të famshëm Zahi Hawass.

Saqqara është një nekropol i gjerë i kryeqytetit të lashtë egjiptian të Memfisit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që strehon më shumë se një duzinë piramidash, manastiresh antikë dhe vendeve për varrosjen e kafshëve.

Një ekip i kryesuar nga Hawass bëri gjetjet pranë piramidës së Mbretit Teti, faraoni i parë i Dinastisë së Gjashtë të Mbretërisë së Vjetër.

Më shumë se 50 sarkofagë prej druri që datojnë në Mbretërinë e Re (shekulli i 16-të para Krishtit deri në shekullin e 11-të para Krishtit) u gjetën në një bosht varrimi, tha Hawass .

“Ky zbulim rishkruan historinë e Saqqara dhe më konkretisht historinë e Mbretërisë së Re, e cila filloi 3,000 vjet më parë,” tha ai.

Hawass tha se ekipi i tij kishte zbuluar gjithsej 22 boshte, përfshirë një që përmbante një “ushtar, me sëpatën e tij të betejës mbështetur pranë tij”.

U gjet gjithashtu një sarkofag guri, shtoi ai, si dhe “një papirus rreth pesë metra i gjatë që përmbante kapitullin e 17-të të librit të të vdekurve … maska, varka prej druri, lojëra që egjiptianët e lashtë kishin luajtur”.

“Ishte një zbulim i rrallë dhe i ri sepse shumica e objekteve që gjetëm datojnë që nga Mbretëria e Re, ndërsa në Saqqara, zakonisht është më shumë rreth 500 vjet para Krishtit,” shtoi ai.

Një numër objektesh u shfaqën në shtyp, ndërsa gërmimet në sit po vazhdojnë.

“70 për qind (e zonës së re) është ende për t’u hulumtuar,” shtoi ai.

Ministria e turizmit dhe antikave të Egjiptit kishte njoftuar “zbulime të mëdha” në Saqqara, ku ka pasur një mori gërmimesh në vitet e fundit.

Ministria tha se ekipi kishte zbuluar gjithashtu “tempullin funeral të Mbretëreshës Nearit, gruas së Mbretit Teti”.

Zona Saqqara është gjithashtu shtëpia e piramidës shkallore të Djoser, një nga më të hershmet e ndërtuara në Egjiptin e lashtë.

Më vonë këtë vit, dhe pas disa vonesave, autoritetet shpresojnë të përurojnë një muze të ri – Muzeun e Madh Egjiptian – në pllajën e Gizës, shtëpia e piramidave të famshme të Gizës.

Egjipti shpreson që zbulimet arkeologjike të nxisin turizmin, një sektor i cili ka pësuar tronditje të shumta, nga një kryengritje e vitit 2011 në pandeminë e sotme të koronavirusit

 

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb