Prej ditësh Egnatia qëndron e grumbulluar në zonën e Malit të Robit, në një nga resortet pranë bregdetit të Adriatikut.

Rrogozhinasit vijojnë përgatitjet intensive për duelin kundër Partizanit, ku do të luajnë fatin e titullit kampion. Bardhejeshilët janë stërvitur për afro 100 minuta ditën e djeshme në stadiumin “Arena Egnatia” ku përtej lodhjes fizike, ka mbizotëruar harmonia mes lojtarëve. Trajneri Edlir Tetova është duke studiuar sesi do ta vendosë skuadrën në fushën e lojës. Ndonëse ndeshjet e fundit Egnatia ka kristalizuar formacionin 3- 5-2 duke arritur edhe rezultate pozitive, tekniku durrsak është në dilema sa i takon modulit që do të përzgjedhë kundër kampioneve në fuqi. Durrsaku mund t’i rikthehet skemës 4- 3-3, që i dha jo pak vazhdimësi dhe produktivitet rrogozhinasve në dy fazat e para të kampionatit.

Për ta bërë këtë i duhet të sakrifikojë një nga qendërmbrojtësit dhe më konkretisht Fransua Dylis. 23-vjeçari nga Haiti ka performuar mirë ndeshjet e fundit, por Arbenit Xhemajli duket i avantazhuar për të qenë partner me Renato Malotën, pasi kapiteni duket më solid me praninë e “dardanit” në prapavijë. Me modulin 4- 3-3 rikthehet në formacionin titullar Sebastjan Spahiu, i cili nuk ka luajtur rregullisht në javët e fundit. 24- vjeçari ka pasur shqetësime fizike, duke mos qenë në formë optimale gjatë muajit maj. Një mundësi që do ta bënte Tetovën të luante me katër dhe dy anësorë të deklaruar janë inkursionet e shpeshta të Hadrojt dhe Atanaskoskit.

Skema me katër nuk do t’i impenjonte shumë në sulm Ndrecën dhe Fangajn, që mund të bënin më mirë detyrat mbrojtëse në këtë rast. Tetova është një trajner, që kujdeset shumë për detajet dhe kërkon nga reparti i mesfushës të jenë të saktë dhe përqendruar në të dyja manovrat e lojës. Albano Aleksi do të ketë mbase detyrën më të vështirë për të markuar Rrapajn, njeriu ku nis çdo aksion i rrezikshëm i të kuqve. Rrapaj i ka shënuar tri herë rrogozhinasve, çka dëshmon për rrezikshmërinë e tij. Arbin Zejnullai, i cili është aktualisht golashënuesi më i mirë i rrogozhinasve përtej inkursioneve në drejtim të sulmit, do të mundohet t’i qëndrojë afër Magetit, i cili është gjithnjë i rrezikshëm me pasimet vertikale, zbritjet dhe goditjet nga jashtë zonës.

Fernando Medeiros për nga cilësitë që disponon do të huhet të sulmojë hapësirat e kryeqytetasve, me qëllim për të kapur në befasi mbrojtjen e kuqe. Pikërisht mesfusha pritet të jetë edhe reparti ku do të përqendrohet edhe pjesa më e madhe e lojës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb