Egnatia ka marrë pushimet pas fitimit të titullit kampion, me teknikun Edlir Tetova, që po u jep mundësinë lojtarëve të pushojnë paksa, para nisjes së përgatitjeve në kuadër të kupave të Europës.
Kampionët do të marrin pjesë për të dytin vit radhazi në Ligën e Kampioneve, ku vitin e kaluar nuk ia dolën që të ecnin gjatë. Sivjet, e presin me një tjetër synim, të ecin sa më gjatë dhe pse jo, të realizojnë ëndrrën për të marrë pjesë në grupet e Ligës së Konferencës. Tanimë me një eksperiencë më shumë mbi supe dhe me më pak fat, çdo gjë është e mundur. Gjithsesi, meraku i vetëm dhe që kampionët do të përpiqen ta evitojnë me çdo kusht, do të jenë… penalltitë.
MAKTHI I PENALLTIVE – Mund të thuhet pa frikë se Egnatia i ka makth penalltitë, sidomos kur bëhet fjalë në Europë. Thuhet kështu, pasi në dy sezonet e kaluara e kanë pësuar pikërisht nga goditjet e 11-metërshave. Më konkretisht, sezonin e kaluar në Ligën e Kampioneve munden nga ekipi i Borak në transfertë në shifrat 1 me 0 dhe fitojnë në kthim 2-1, por në ruletën e penalltive dalin të mundur. E njëjta gjë ishte përsëritur edhe në debutim përballë skuadrës së Ararat. Barazonin 1-1 në transfertë dhe 4-4 në shtëpi, por në fund më të saktë te penalltitë u treguan kundërshtarët që avancuan më tej.
Dy drama që u hoqën mundësinë rrogozhinasve të vazhdonin rrugëtimin e tyre në Europë. Në duelin tjetër në këtë kompeticion, sërish kampionët ishit të pafat, sepse fituan në transfertë ndaj Vikingurit 0-1, por u mundën në shtëpi 0-2. Në këtë rast, nuk ishte nevoja e penalltive për t’i nxjerrë jashtë kompeticionit, por gjithsesi paraqitjet në fushë nuk janë përligjur me rezultatin përfundimtar që do të dëshironin. Gjithsesi, për të vulosur edhe njëherë makthin e penalltive, mjafton të kujtojnë edhe finalen e kupës së Shqipërisë me Dinamon pak javë më parë. Rrogozhinasit e humbën këtë trofe pikërisht pas gjuajtjes së penalltive. Për këtë arsye, cilido qoftë kundërshtari që do të kenë përballë në Europë, në Rrogozhinë do të përpiqen që të evitojnë sa të munden dërgimin e ndeshjeve tek goditja nga pika e bardhë.
MUNGESA E EKSPERIENCËS – Europa do edhe eksperiencë. Jo rastësisht edhe eliminimet që i kanë ardhur Egnatias kanë qenë kryesisht për këtë aspekt, sepse asnjë nga kundërshtarët nuk i ka dominuar. Ajo që e ilustron më së miri këtë gjë është edhe eliminimi ndaj Vikingurit, ku fituan në transfertë dhe më pas u mundën në shtëpi. Tani situata është ndryshe dhe pikërisht këtë eksperiencë që tanimë e ka fituar, Edlir Tetova do të përpiqet ta vërë në shërbim të skuadrës së tij dhe të ecë sa më gjatë në Kupat e Europës.
