Egnatia bëhet gati të ripërsërisë historinë në futbollin shqiptar. Kampionët kanë një detyrë të vështirë përpara, ku i duhet të mbrojnë titullin e vitit të kaluar dhe për ta arritur këtë duhet të kalojnë edhe pengesën e fundit që mban emrin e Vllaznisë.
Rrogozhinasit janë optimistë për ta mbyllur ashtu si duhet sezonin, edhe për faktin se e mbyllën kampionatin e rregullt në vendin e parë. Situata për momentin duket e mirë, ku duket se të besuarit e Edlir Tetovës kanë arritur të marrin paksa veten pas ngjeshjeve të ndeshjeve në javët e fundit. Gjithsesi, rreziku për ta mbyllur sezonin pa trofe në njëfarë mënyre i ka vënë nën presion për këtë finale.
DY HERË RADHAZI
Jo më kot thuhet shpesh se një trofe dhe për më tepër një titull kampion është më e lehtë ta fitosh sesa ta mbrosh atë. Për këtë arsye, rrogozhinasit do të kenë një detyrë të vështirë përpara, për të mbrojtur titullin e fituar vitin e kaluar. Në fakt, që nga koha e Skënderbeut të lavdishëm ku dominonte futbollin shqiptar dhe fitoi gjashtë tituj radhazi mes viteve 2010-2016, asnjë ekip tjetër më pas nuk ia ka dalë ta fitojë dy herë rresht.
Egnatia ka mundësinë ta bëjë diçka të tillë, ku ka shkuar vetëm një ndeshje larg. Nga ana tjetër, ai ekip i atyre viteve shërben si një frymëzim për këdo që kërkon të nisë një cikël fitues dhe Egnatia duket se ndodhet në atë rrugë, për shkak të dominimit që po i bën futbollit shqiptar këto dy vitet e fundit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalin apo jo.
FRIKË NGA PENALLTITË
Një gjë duket e sigurt për sot: Edlir Tetova kërkon ta mbyllë gjithçka brenda 90 minutave dhe të evitojë me çdo kusht dërgimin e ndeshjes te penalltitë. Pas dështimit në kupë nga pika e bardhë e penalltisë, rrogozhinasit nuk duan që të ndodhë një gjë e tillë edhe në kampionat.
Jo për faktin se kampionët janë të paaftë për të fituar me penallti, por e shohin më shumë si një fat dhe nuk duan që pikërisht fatet e sezonit t’i lënë në duar të penalltive. Megjithatë, mësohet se edhe nëse një gjë e tillë ndodh, Tetova i ka marrë masat, sepse gjatë seancave stërvitore të këtyre ditëve, lojtarët në veçanti kanë bërë stërvitje nga pika e bardhë e penalltisë.
SEZONI PA TROFE
Për shkak të formulës që ka futbolli shqiptar, ekipi më i mirë i kampionatit mund ta mbyllë sezonin pa trofe. Do të ishte mëkat më vete, por Egnatia ndodhet pikërisht në këtë pozicion dhe që kërkon ta evitojë me çdo kusht. Pikërisht kjo gjë ka bërë që kampionët të jenë nën presion në këtë finale. Vitin e kaluar i fituan të gjitha, por këtë herë situata është ndryshe dhe gjithë këtë tension duket se e sollën pikërisht penalltitë e humbura ndaj Dinamos.
