Egnatia ka dhënë një tjetër sinjal të qartë se synon ta mbrojë kurorën e kampiones me çdo kusht. Skuadra rrogozhinase ka nisur të rikthejë ritmin e sezonit të kaluar, duke treguar se po hyn seriozisht në fazën ku fillon të bëjë diferencën.
Fitorja ndaj Vorës në këtë fundjavë nuk ishte thjesht një rezultat pozitiv, por një demonstrim force, qartësie taktike dhe pjekurie që i shkon për shtat një ekipi që di çfarë kërkon nga çdo ndeshje. Pas një fillimi të luhatshëm, ku rezultatet nuk pasqyronin gjithmonë lojën e zhvilluar në fushë, Egnatia duket se ka gjetur ekuilibrin e duhur mes mbrojtjes dhe sulmit.
Përballë Vorës, bardhejeshilët e menaxhuan perfekt takimin: dominim territorial, qarkullim topi inteligjent dhe efikasitet përpara portës atëherë kur duhej. Përveç kontrollit të lojës, ajo që bie në sy është qetësia me të cilën skuadra po përballon ndeshjet, edhe kur rezultati është i ngushtë apo loja kërkon durim.
ECURI NË RRITJE – Në krahasim me rivalët direkt, Egnatia duket më e balancuar dhe me një grup që e njeh mirë njëri-tjetrin, edhe pse lëvizjet gjatë merkatos së verës kanë qenë të shumta. Kampionët kanë bërë një ecuri të pastër fituese që nga momenti kur nisën kthesën me suksesin ndaj Bylisit, për t’u pasuar më pas me fitore ndaj Tiranës, Flamurtarit dhe së fundmi Vorës.
Katër ndeshje, katër fitore dhe 12 pikë të plota që e kanë ngjitur skuadrën përsëri mes më të mirave në tabelë. Në Rrogozhinë është rikthyer stabiliteti që mungonte në fillim dhe kjo falë edhe mënyrës së menaxhimit të grupit. Trajneri ka arritur të gjejë balancën e duhur mes lojtarëve të vjetër dhe afrimeve të reja, ndërsa stili i lojës po bëhet gjithnjë e më funksional. Në këtë fazë, Egnatia nuk po kërkon të impresionojë, por të marrë maksimumin me maturi dhe saktësi, një tipar tipik i skuadrave që e kanë provuar suksesin.
