Egnatia ka hedhur një hap të madh drejt kalimit në turin tjetër të UEFA Konferencë Ligë, pas një fitoreje të pastër 2-0 në transfertë ndaj Dinamo Minsk. Rrogozhinasit zhvilluan një nga ndeshjet më të mira ndërkombëtare në historinë e tyre, duke qenë dominues nga fillimi deri në fund, me një paraqitje bindëse që i ka afruar më shumë se kurrë objektivit të madh: kualifikimin.

Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për skuadrën e Tetovës, që në dy edicionet e kaluar morën pjesë në Europë për herë të parë dhe tani janë shumë pranë një suksesi historik, kalimit të një turi me sistem vajtje-ardhje, gjë që nuk ka ndodhur më parë në historinë e klubit.

FRIKË NGA EUFORIA – Në kushtet aktuale, me dy gola avantazh dhe me ndeshjen e kthimit që luhet në “Egnatia Arena”, Egnatia është me një këmbë në raundin tjetër. Pothuajse gjithçka është në dorën e tyre. Ata kanë treguar superioritet në fushë dhe i kanë të gjitha mundësitë për të menaxhuar rezultatin në shtëpi. Por, në futboll asgjë nuk është e garantuar dhe vetëdija për këtë është prezente në grupin rrogozhinas.

Kualifikimi nuk është vetëm çështje rezultati, por edhe një provë karakteri dhe maturie për një skuadër që është rritur ndjeshëm në aspektin europian. Tashmë, është Egnatia ajo që kontrollon fatin e vet dhe për të mos e prishur këtë mundësi të artë, duhet të mbetet me këmbë në tokë deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit. Duhet thënë se kjo është ndeshja e parë që rrogozhinasit kthehen në shtëpi me një avantazh të dyfishtë, çka i jep një farë sigurie për 90 minutat e së enjtes së ardhshme në qytetin e Rrogozhinës.

PRECEDENTI VIKINGUR – Me gjithë entuziazmin e krijuar pas fitores në Bjellorusi, në kampin bardhëjeshil nuk mungon kujdesi. Precedenti i Vikingurit është ende i freskët në kujtesën e të gjithëve. Para dy vitesh, Egnatia fitoi 1-0 në Islandë, por humbi 2-0 në Elbasan, duke u eliminuar mes dhimbjes dhe zhgënjimit. Ishte një goditje e rëndë që shërbeu si mësim për të gjithë ambientin.

Kjo është arsyeja pse stafi dhe lojtarët e dinë mirë që historia mund të përsëritet nëse nënvlerësojnë kundërshtarin apo e konsiderojnë ndeshjen të mbyllur para kohe. Dinamo Minsk mbetet një ekip me eksperiencë ndërkombëtare dhe gjithçka mund të ndodhë nëse nuk ruhet përqendrimi maksimal. Pra, ndonëse Egnatia është shumë pranë një suksesi të madh, duhet të shfaqë pjekuri dhe të mos harrojë që, siç ndodhi me Vikingurin, një moment dobësie mund të përmbysë gjithçka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb