Fitorja “in extremis” ndaj Dinamos në shtëpi mund të rezultojë një moment kyç në ecurinë e sezonit për Egnatian. Në një ndeshje të ekuilibruar, ku për një kohë të gjatë u duk se kampionët do të ndaleshin, goli i shënuar në fund ndryshoi jo vetëm rezultatin, por edhe panoramën e renditjes.

Tre pikët e mbajtën skuadrën e Rrogozhinës në kontakt të drejtpërdrejtë me kreun. Diferenca me Vllazninë është tashmë vetëm dy pikë, çka e bën garën plotësisht të hapur. Në këtë fazë të sezonit, çdo detaj merr rëndësi dhe Egnatia ka dhënë sinjalin se është gati të luftojë deri në fund për të rimarrë vendin e parë. Ky sukses i jep mundësi kampionëve të ushtrojnë presion ndaj shkodranëve. Vllaznia e di se çdo gabim mund të kushtojë menjëherë, pasi ndjekësi është në distancë minimale.

Për Egnatian është një situatë disi e pazakontë, pasi vitet e fundit ka qenë ajo që ka komanduar nga maja, por diferenca e ngushtë i lejon të synojë shpejt rikthimin në krye. Megjithatë, për ta kthyer këtë fitore në pikënisje të një serie të qëndrueshme, nevojitet vazhdimësi. Një rezultat i izoluar nuk mjafton për të përmbysur balancat e kampionatit. Javët në vijim do të tregojnë nëse goli ndaj Dinamos do të shërbejë si moment kthese.

PARTIZANI, PROVA E KTHESËS – Këtë javë, përballë Egnatias do të jetë Partizani, një kundërshtar që vjen pas një serie pozitive dhe në rritje të ndjeshme forme. Skuadra e kuqe ka grumbulluar rezultate të rëndësishme dhe është afruar në zonën e sipërme të renditjes, duke u shndërruar në rival direkt. Sfida ka peshë të dyfishtë për kampionët.

Nga njëra anë, është mundësia për të mbajtur ritmin në ndjekje të Vllaznisë dhe për të vijuar presionin ndaj kryesueses. Nga ana tjetër, është rasti për të ndalur një kundërshtar që po fiton terren dhe që synon të përfshihet seriozisht në garën për kreun. Pikërisht në këtë përballje do të kuptohet nëse Egnatia është vërtet gati të nisë një cikël fitoresh. Një sukses ndaj Partizanit do të konfirmonte se fitorja ndaj Dinamos nuk ishte thjesht një reagim i momentit, por fillimi i një ecurie të qëndrueshme. Në të kundërt, çdo hap fals do të rihapte pikëpyetje mbi aftësinë për të menaxhuar presionin në një fazë vendimtare të sezonit.

Partizani paraqet një test real, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë psikologjik. Për Egnatian, kjo është mundësia për të treguar se kampionët janë gati të rimarrin kontrollin e garës dhe ta kthejnë synimin për kreun në objektiv konkret. Sfida mes Partizanit dhe Egnatias, do të zhvillohet ditën e shtunë në “Arena e Demave”, duke nisur nga ora 16:30 aty ku dy skuadrat do të pretendojnë fitoren, për të konsoliduar pozita në klasifikim, me të kuqtë që synojnë të arrijnë zonën e “Final 4”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb