Katër lojtarë, që u larguan nga Partizani në këtë merkato, kanë gjetur ekip tashmë. Dhe madje tre prej tyre do të luajnë në Europë. Gjelbrim Taipi zgjodhi Prishtinën për të vazhduar karrierën. Klubi i Superligës së Kosovës do të përballet me Sherif Tiraspol në turin e parë të Ligës së Europës.
Në rast eliminimi do të ketë edhe një shans në Ligën e Konferencës. Më tej, Rodrigo Piloto që ishte i huazuar te Atletik d’Eskaldes, ndau rrugët me Partizanin përfundimisht në qershor. Sulmuesi portugez vendosi të qëndrojë te klubi i Andorrës, që do të përballet në turin e parë të Ligës së Konferencës me Dudelanzh. Një tjetër lojtar do të luajë në Europë.
Është fjala për Dmitri Padstrelau, që u rikthye te Dinamo Minsk. Sulmuesi ishte si përforcim para Ligës së Kampioneve ku klubi bjellorus do të përballet me Ludogoretsin. Siç duket, futbollistët e Partizanit kanë firmosur me klube ku do të jenë menjëherë në aktivitet. Henri Zuna, për të cilin nuk u preferua qëndrimi pas huazimit, ka firmosur te Vora. Në sezonin e ardhshëm do të jetë rival i Partizanit në Superiore.
