Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka analizuar në “Këndin e Fundjavës” tri krizat që, sipas saj, po rëndojnë ekonominë dhe familjet shqiptare: rritjen e kostos së jetesës, emigrimin dhe rënien e prodhimit. Tabaku argumentoi se këto kriza janë pasojë e një modeli ekonomik që favorizon një pakicë kompanish dhe individësh të lidhur me qeverinë, ndërsa pjesa dërrmuese e qytetarëve përballet me çmime dhe taksa më të larta, por me paga të ulëta. “Çmimet shqiptare janë barazuar me ato europiane. Kemi çmime europiane, ndërkohë që pagat janë shqiptare”, deklaroi Tabaku. Sipas deputetes demokrate, çmimet janë rritur me 22% gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm. Ajo solli si shembull një familje me katër anëtarë, së cilës i nevojiten rreth 66 mijë lekë në muaj për të jetuar, në një kohë kur paga mesatare llogaritet në rreth 73 mijë lekë.
Tabaku kundërshtoi propagandën e qeverisë për rritjen ekonomike, duke theksuar se ajo nuk është përkthyer në mirëqenie për qytetarët. “Rritja e produktit të brendshëm bruto ka shkuar te një grup i vogël njerëzish dhe në një industri të vetme. Ekonomia shqiptare nuk prodhon më. Rritja është përqendruar te ndërtimi dhe te 15 apo 20 kompani që marrin tenderë, koncesione dhe leje ndërtimi”, u shpreh ajo.
Kriza e dytë, sipas Tabakut, është emigrimi. Largimi i të rinjve dhe familjeve shqiptare ka ulur konsumin, kursimet dhe përdorimin e sistemit bankar, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në kreditimin e familjeve dhe bizneseve. Ajo deklaroi se të ardhurat që vijnë nga emigracioni janë rreth 30% më të ulëta krahasuar me disa vite më parë. Kriza e tretë lidhet me rënien e prodhimit dhe mungesën e një modeli të qëndrueshëm ekonomik. Tabaku vuri në dukje tkurrjen e peshës së bujqësisë në ekonomi dhe krizën e sektorit fason, ndërsa akuzoi qeverinë se e ka orientuar zhvillimin pothuajse tërësisht drejt ndërtimit. “Ne ndërtuam një ekonomi llaçi dhe tullash; një model që nuk prodhon, nuk eksporton dhe riciklon para në sektorin e ndërtimit. Ky model nuk i shpërndan të ardhurat te qytetarët, por ka krijuar një ekonomi të pakicës”, tha ajo.
Deputetja e PD-së i lidhi këto zhvillime drejtpërdrejt me protestat dhe pakënaqësinë qytetare. Sipas saj, shqiptarët po kërkojnë mundësi ekonomike, meritokraci, konkurrencë dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. “Ky është sistemi që ka nxjerrë qytetarët në protestë. Ndërsa një pakicë përfiton nga taksat e hequra, koncesionet, privilegjet dhe lejet e ndërtimit, 95% e qytetarëve përjetojnë ekonominë e taksave të rritura, çmimeve të larta dhe pagave të ulëta”, deklaroi Tabaku.
Në përfundim, Tabaku theksoi se modeli i ngritur nga qeverisja socialiste duhet të ndryshojë, në mënyrë që ekonomia të hapet ndaj konkurrencës dhe Shqipëria të ecë drejt integrimit europian. “Ky sistem duhet çmontuar. E vetmja mënyrë për ta ndryshuar është ndryshimi i qeverisë dhe i atyre që e kanë ngritur, tullë pas tulle dhe favor pas favori. Pa u çmontuar ky sistem privilegjesh, nuk mund t’i hapet rruga as Shqipërisë europiane dhe as të rinjve shqiptarë”, përfundoi Tabaku.
Fjala e plotë e Jorida Tabakut
Çdo familje shqiptare që shpenzon në supermarkete apo në marketet e lagjes dhe që blen produktet për tryezën familjare, e ka vënë re rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve.
Sot, çmimet në Shqipëri janë barazuar me ato europiane. Gjatë dhjetë viteve të fundit, çmimet janë rritur me 22%, ndërkohë që pagat jo. Ato janë rritur vetëm me 3 pikë përqindjeje, aq sa norma e inflacionit në këto dhjetë vite.
Nga të ardhurat e një familjeje shqiptare, 20% shkojnë sot për ushqime. Kemi çmime europiane, ndërkohë që pagat janë shqiptare. Një familjeje me katër anëtarë i duhen 66 mijë lekë për të jetuar një muaj, ndërkohë që paga mesatare është 73 mijë lekë.
Si mundet një familje shqiptare të jetojë dhe të mbijetojë në këtë realitet ekonomik?
Dëgjojmë qeverinë që çdo ditë propagandon rritjen ekonomike dhe faktin se sot është rritur edhe PBB-ja. Por rritja e produktit të brendshëm bruto, fatkeqësisht, ka shkuar te një grup i vogël njerëzish dhe në një industri të vetme, sepse ekonomia shqiptare nuk prodhon më.
Sot, e gjithë rritja është përqendruar vetëm te ndërtimi, me 15 apo maksimumi 20 kompani që marrin tenderë, koncesione dhe leje ndërtimi. Janë ato që përfitojnë dhe e përjetojnë këtë rritje ekonomike, ndërkohë që 95% e qytetarëve shqiptarë nuk e ndiejnë atë as në xhepat dhe as në tryezat e tyre.
Kriza e dytë e ekonomisë shqiptare është emigrimi.
Kjo krizë, e cila sjell konsum dhe investime më të ulëta, vjen edhe si pasojë e faktit që familjet shqiptare po detyrohen t’i çojnë fëmijët e tyre jashtë vendit, për të kërkuar më shumë mundësi dhe sepse këtu nuk gjejnë zgjidhje.
Emigrimi i kushton ekonomisë shqiptare edhe për faktin se të ardhurat që vijnë nga emigracioni janë 30% më të ulëta se disa vite më parë. I kushton edhe sepse këta persona nuk konsumojnë më në Shqipëri. Kjo ndihet te konsumi dhe te përdorimi i sistemit bankar shqiptar, por njëkohësisht edhe te kreditimi i familjeve dhe bizneseve.
Kriza e tretë e ekonomisë shqiptare lidhet, sigurisht, me prodhimin.
Sot, ekonomia shqiptare është një ekonomi që nuk prodhon më. Është një ekonomi që ka shteruar dhe që nuk ka një model apo vizion ekonomik, sepse ne nuk ditëm të ndërtonim një ekonomi të qëndrueshme. Ne ndërtuam një ekonomi llaçi dhe tullash.
Ndërkohë, bujqësia, e cila ishte një nga sektorët kryesorë, nga 20% ka zbritur në 16% të produktit të brendshëm bruto.
Sot, ekonomia shqiptare nuk mbahet më as nga sektori fason, i cili deri dje prodhonte dhe eksportonte. Një sektor me rreth 175 mijë punonjës ka humbur pothuajse 100 mijë punonjës, vetëm si rezultat i zhvlerësimit të euros.
Ky është një model ekonomik që nuk prodhon dhe nuk eksporton, por thjesht riciklon paratë e pista në sektorin e ndërtimit. Është një model ekonomik që nuk i shpërndan të ardhurat te të gjithë. Është një model që ka shteruar, që ka rënduar shtresën e mesme dhe, nga ana tjetër, ka krijuar një sistem dhe një ekonomi të pakicës.
Ky është sistemi kundër të cilit po protestojnë sot njerëzit në rrugë. Ky është sistemi që i ka nxjerrë qytetarët në protestë.
Është një sistem që favorizon ata që ka më afër: u heq taksat, u jep privilegje, koncesione dhe leje ndërtimi. Ai ka fuqizuar një grup të vogël njerëzish, duke orientuar drejt tyre rritjen dhe përfitimet ekonomike.
Ndërkohë, 95% e qytetarëve përjetojnë ekonominë e taksave të rritura, të çmimeve të larta dhe të pagave të ulëta.
Prandaj, sot rritja ekonomike nuk shkon te qytetarët. Rritja ekonomike që ekziston në letër shkon te një pakicë.
Pikërisht për këtë arsye njerëzit janë ngritur dhe kërkojnë më shumë mundësi, meritokraci, hapjen e ekonomisë, konkurrencë dhe më të mirën për fëmijët e tyre.
Këto janë tri krizat e ekonomisë shqiptare. Këto janë tri krizat që i kanë ngritur qytetarët në këmbë. Këto janë tri krizat që kërkojnë ndryshim.
Ky sistem duhet çmontuar. Ky sistem duhet rrëzuar. Ky sistem duhet të bjerë, në mënyrë që të krijohen mundësi ekonomike për të gjithë.
Për sa kohë që ky sistem dhe ky Parlament japin favore me ligje, ngrenë kartonët për të dhënë privilegje të posaçme dhe ndajnë koncesione e partneritete publike me një grup të vogël njerëzish, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të mbetet në vend.
E vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë sistem është ndryshimi i qeverisë dhe ndryshimi i atyre që e kanë ngritur atë tullë pas tulle dhe favor pas favori.
Ata kanë krijuar një sistem të pakicës, një sistem privilegjesh, i cili, pa u çmontuar, nuk mund t’i hapë rrugën as Shqipërisë europiane dhe as të rinjve shqiptarë për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.
