Në daljen e tij për mediat, kreu i PD Sali Berisha ngriti shqetësimin për rritjen e çmimeve.

Gjithashtu Berisha theksoi se keqqeverisja, bashkëpunimi me krimin dhe drogën, po e shkatërron Shqipërinë, ndërsa shtoi se ekonomia është në rënie të lirë.

“Për herë të parë në histori vdekjet dominojnë mbi lindjet. Ato tregojnë se kemi tregues të lindshmërisë më të ulët në botë. E goditur nga paratë e drogës, ekonomia shqiptare është në rënie të lirë. Sipas statistikave, për herë të parë ekonomia kontribuon vetëm me 49 % në rritjen ekonomike. Sipas këtyre statistikave, në rritjen ekonomike, kontributin e ka shteti, të ardhurat kryesore nuk vijnë nga prodhimi, por nga taksat neto.  Rënia e euros shtrenjtoi turizmin në Shqipëri. Narkoshteti është ai faktor që po shkatërron Shqipërinë më shumë se çdo faktor tjetër në ekzistencën e saj. Të gjitha këto janë të trajtuara në rezolutën e votuar me unanimitet”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e Berishës;

Këto rezoluta janë kambana alarmi se në Shqipërinë e vogël breg Adriatikut, që dikur Enver Hoxha e quante kështjella e pamposhtur e socializmit, një bastard politik i tyre, Edi Rama, ndërtoi kështjellën e drogës, krimit dhe vjedhjes së qytetarëve shqiptarë.
Këto rezoluta nxjerrin në dritën e diellit keqpërdorimin e drejtësisë dhe reformës së drejtësisë nga narko-regjimi.
Dëshmojnë se Altin Dumani nuk është gjë tjetër veçse një Altin Troplin apo Poja i Skaput, që në një verbëri dhe fanatizëm politik sulmon me tërbim pluralizmin politik në Shqipëri, duke harruar se ajo është arritja më e madhe e shqiptarëve në rrugën e lirisë pas pavarësisë së vendit.
Këto rezoluta denoncojnë aktet e këtij mercenari që për të fituar mandatin e katërt padroni i tij, pa asnjë bazë ligjore, vë në arrest dhe ndjekje penale liderët e tre partive politike kryesore, duke u bërë kështu një shëmbëlltyrë e shëmtuar e prokurorëve të diktaturës komuniste.
Këto rezoluta janë gjithashtu një paralajmërim serioz për avoketërit e narko-shtetit në Shqipëri, Europë dhe botë.
Unë u them shqiptarëve se në tërë ekzistencën e tyre, një armik më të egër se narko-shtetin e Edi Ramës nuk kanë pasur.
Është e vërtetë se diktatura moniste e Enver Hoxhës ekzekutoi mbi 7 mijë shqiptarë për fjalën e lirë, dinjitetin njerëzor, dashurinë për Shqipërinë dhe Zotin.
Internoi dhjetëra mijëra të tjerë, persekutoi qindra mijëra.
Po kurrë Shqipëria, ato që pësoi këto 10 vite nga efekti i narko-shtetit nuk e ka pësuar.
Largimin masiv të shqiptarëve dhe rënien e tmerrshme të popullatës në Shqipëri në 10 vite.
Avoketërit e narko-shtetit nuk flasin kurrë për këtë rënie dramatike sepse ata verbërisht ose nuk shohin realitetin, ose paguhen nga Edi Rama.
Por sot, narko-shteti në Shqipëri, sipas dokumenteve zyrtare, faktohet në formën më të egër.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, njerëzisht u lutem të lexoni të dhënat e fundit të INSTAT, institucionit të statistikave zyrtare.
Ato paralajmërojnë kastastrofë në çdo aspekt për shqiptarët.
Ato tregojnë së pari se lindjet në Shqipëri kanë rënë në nivelin që ishin 100 vite më parë kur ishim 700 mijë banorë dhe kjo për shkak të largimit të shqiptarëve.
Ato tregojnë se nga viti 2018 e gjer sot, në këtë tokë, në këtë vend, për herë të parë në histori, vdekjet dominojnë ndjeshëm mbi lindjet.
Ato tregojnë se ne sot kemi treguesit e lindshmërisë më të ulëtit në botë.
Dhe së fundmi, po INSTAT pohon për herë të parë se e goditur nga paraja toksike e drogës, ekonomia shqiptare është në rënie të lirë.
Sipas këtyre statistikave, për herë të parë, ekonomia kontribuon vetëm me 49 përqind në rritjen ekonomike.
Vetëm me 49 përqind.
Sipas këtyre statistikave, në rritjen ekonomike kontributin kryesor e ka shteti me rrogat që jep, me pensionet, me sigurimet shoqërore dhe sigurimet e tjera.
Sipas këtyre statistikave, të ardhurat kryesore nuk vijnë nga prodhimi, po vijnë nga taksat neto.
Duhet ta kuptojë çdo njeri se çfarë është taksa neto. Është taksa që merr qeveria mbi produktin duke zbritur shpenzimet që janë bërë.
Po çfarë ndodh në Shqipëri?
Në Shqipëri çmimet rriten muaj pas muaj, vit pas viti dhe ky është mekanizëm i tmerrshëm.
Rritja e çmimeve rrit taksën. Dyfishimi i çmimit dyfishon të ardhurat nga TVSH-ja.
Çmimi i naftës në stratosferë mban në stratosferë akzicën.
Dhe këto që quhen taksa neto, këto janë burimi kryesor i rritjes ekonomike.
Dhe kjo është një rritje false.
Pak vite më parë, shumë pak vite më parë, të ardhurat nga profesionet e lira ishin 12 përqind.
Kanë zbritur sot në 1 përqind pas betejës që bëri kundër profesioneve të lira.
Shok të vërtetë ka pësuar turizmi nga narko-shteti.
Narko-shteti shkatërroi me shpejtësi turizmin, sepse rënia e euros, shtrenjtoi turizmin për çdo turist me 35 përqind.
Atyre që nuk u besojnë sytë dhe kronikave televizive për turizmin, u them shikoni pak kontributin e akomodimeve dhe shërbimeve në rritjen ekonomike krahasuar me një vit më parë se çfarë rënie dramatike.
U ndala këtu për të thënë se narko-shteti është ai faktor që po shkatërron Shqipërinë më shumë se çdo faktor tjetër në ekzistencën e saj.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: