Deputetja e PD Jorida Tabaku foli për një situatë të vështirë ekonomike në vend. Në një intervistë në “Studio24” në News24, Tabaku tha se sot 95 % e qytetarëve shqiptarë ndodhen në një situatë të vështirë ekonomike, duke nënvizuar se vendi ndodhet në një udhëkryq ekonomik.
Ajo tha se shtrenjtimi i çmimeve përpara festave solli edhe rënie të konsumit.
“95 % qytetarëve sot ndodhen në një situatë të vështirë ekonomike. Kemi një ekonomi që nuk prodhon. Bujqësia dhe fasonet ishin dy sektorë që eksportonim më shumë dhe si rezultat i zhvlerësimit të euros këto janë në një situatë jo të mirë. Pra ne ndodhemi në një udhëkryq ekonomik”, u shpreh ajo.
Tabaku u ndal edhe tek amnistia fiskale, duke thënë se e sheh si një ligj shumë të dëmshëm dhe korruptiv.
“2026 e shoh me shqetësim pasi amnistia fiskale është e dëmshme. Që lidhet me faljen e borxheve të të shkuarës dhe kjo do t’i dekurajojë të gjitha ata që i kanë paguar. Ligji më korruptiv është amnistia fiskale, pasi për mua është legalizim i pastrimit të parave. Nuk ka aspak transparencë. Përse qeveria shqiptare nuk i bën publike? Sepse qytetarët kanë të drejtë të marrin informacion se kush përfiton dhe nuk do ofrojë transparencë për ato që përfitojnë nga amnistia fiskale”, tha Tabaku.
