Shqipëria është shumë pranë kualifikimit në Euro 2024, ku në dy ndeshjet e mbetura ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe mjafton një pikë. Trajneri i kuqezinjve, Sylvinho ka sjellë një frymë të re në skuadër dhe rezultatet duken. Në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga moderatorja Trevisa Tufa, ish-lojtari i Kombëtares, Erion Bogdani u shpreh optimist për të ardhmen e ekipit.

 

 

Bogu, mund të ma përshkruash me pak fjalë, çfarë emocionesh përjeton një ish lojtar i famshëm, kur sheh ekipin e kombit të tij të përformojë në këtë mënyrë, çfarë të shkonte në mendje pas sfidës me Çekinë?

Ishte fitore e rëndësishme, ndaj një ekipi të fortë. Në momentin e daljes me karton të kuq të rivalit, sikur na e lehtësoi punën.

Në rrjet nuk mungojnë krahasimet, epitetet etj, një prej tyre është edhe pyetje edhe konstatim, a është ky ekipi më i mirë i të gjithë kohërave?

Shumë e vështirë që ta ndash. Do të thoja që është një ekip që luan mirë dhe po i afrohet disa mendimeve që kemi patur më përpara. Ne kemi lojtarë të mirë që luajnë në kampionate të forta. Mungon pak, por duhet të jemi të kujdesshëm. Na duhet të tregojmë seriozitet.

Çfarë e bën ndryshe këtë ekip Bogani, Shqipëria ka fituar edhe në të shkuarën sfida të mëdha si me Greqinë, Portugalinë etj, por ky ekip duket ndryshe, çfarë ka ndryshuar kaq shumë Sylvinho?

Duhet t’i bëjë komplimentet e mia trajnerit. Nuk është e lehtë që në kaq pak kohë, të kesh. Një skuadër që edhe kur është në presion, përpiqen që të gjithë që të jenë të bashkuar. Siç e thashë më përpara, duhet pak kohë. Flas për një lojë kolektive, individualitetet po shkrihen. Edhe lojtarët e stolit bëjnë mirë kur futen.

Ky ekip, po ta shohësh në hartë përfaqëson Shqipërinë e madhe, ka lojtarë nga të gjithë trevat, Kosova, Maqedonia, një staf latin, drejtues italian në FSHF, si ka mundësi të funksionojë kaq mirë, jeni thuajse rast unik në botë. Marrim lojtar nga tre shtete, drejtoheni nga të huaj…

Lojtarët po tregojnë seriozitet. Janë lojtarë që po sakrifikojnë shumë për njëri-tjetrin. Nuk është rastësi kur ekipi përgjigjet kështu në fushën e lojës.

Ndryshe nga 2016, ku ishim shumë faktorë që na dërguan në Evropian, këtë herë po shkojmë drejt “Euro2024” si kokë grupi, si sulmi më i mirë, si mbrojtja më e mirë, çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, çfarë do të thotë kjo për të ardhmen?

Ne duhet të ecim në këto ritme. Tani për tani kemi luksin të përdorim këta lojtarë që po shkëlqejnë me ekipin e tyre. Futbollistët po luajnë më mirë se me klubet e tyre. Disa gjëra bëjnë diferencën.

Nga Pano, e deri tek ju, që jeni ende golashënuesi më mirë, Shqipëria ka pasur gjithnjë sulmues të mirë, por këtë herë duket ndryshe, ka shumë sulmues, të gjithë mund të shënojnë madje gola të bukur, çfarë ka ndryshuar, përveç skemës…

Ka ndryshuar edhe cilësia individuale e lojtarëve. Kanë ndryshuar edhe gjuajtjet e Asanit. Kjo është diçka pozitive. Përveç sulmuesve që po më pëlqejnë, po luajnë edhe për ekipin. Golat janë të shpërndarë dhe ky është një fakt.

E të mendosh që nuk luan Broja, a do të jetë e vështirë për trajnerin, për grupin, të ingranojnë Brojën në ekip, fundja deri këtu arritën pa Brojën…

Broja është luks për ekipin tonë kombëtar. Atë kualitet që ka, do e shprehë në fushën e lojës, por na duhet të presim. Broja për ne do jetë luks dhe vlerë e shtuar për ne.

Një tjetër mungesë e madhe ka qene dhe Kumbulla, zbulimi juaj, edhe për Kumbullën diskutimi është i njëjtë, Sylvinho ka luajtur gjithnjë me dyshen Gjimshiti-Ismajli, a mund t’i ndryshojnë balancat rikthimi I Brojës, i Kumbullës, a mund të prishen ekuilibrat?

Nuk mendoj se mund të prishen ekuilibrat. Këta lojtarë nëse do jenë në formë, do jenë një vlerë e shtuar dhe do jetë një problem që mund ta zgjidhë trajneri. Tani trajneri ka më shumë alternativa. Ajeti ka bërë një punë të vështirë, po kontribuon për kombëtaren. Nuk ishte e thjeshtë që të paraqitet në atë mënyrë, pasi ka pak kohë që nuk luan. Kjo tregon një seriozitet jo vetëm të stafit. Lojtarët po tregojnë cilësitë që kanë.

Broja mund të thyejë rekordin tënd, a ke ndryshuar mendim?

Të gjithë po punojnë. Edhe Cikalleshi, pavarësisht se nuk ka qenë protagonist, po bën mirë.

Bogu dua nga një koment të shkurtër për tre lojtarë që kanë qenë përcaktues në këto kualifikuese, Jasir Asani, Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani…

Janë lojtarë të mirë. Asanin nuk e kam parë shumë, këto ndeshje ka treguar performancë të shkëlqyer. I them që të gjuajë sa më shumë. Ai është kthyer në tmerr për portierët. Bajrami më pëlqeu në ndeshjen e fundit, ai është shumë i zgjuar. Ia del të lidhë mirë mesfushën me sulmin. Asllani po tregon shumë, edhe pse është i ri. Tek Interi ka vështirësi, pasi ka mjaft konkurrencë. Edhe pse është i vogël në moshë, po tregon performancë të mirë.

A mund të luaj Asani në Serie A, a do ja këshilloje si opsion?

Patjetër, me këtë formë nuk diskutohet që ia kam sugjeruar. Është një lojtar që të krijon probleme. Përveç gjuajtjes, ka edhe asistin. Performanca e tij në ndeshjet e fundit, është performancë e shkëlqyer.

Cila është pika më e fortë e këtij ekipi Bogdani, cila është gjëja që ty personalisht të pëlqen më shumë?

Më pëlqen fakti që jemi një skuadër kompakte. Kemi patur presion ndaj Çekisë dhe Polonisë, por ne dimë të vuajmë. Gjithashtu, kur kemi topin dimë të dalim shpejt. Ne kemi shumë ide kur jemi përpara.

Sigurisht çdo ekip e ka një pikë të dobët, ose jo të fortë, ku duhet të përmirësohemi më shumë?

Nuk e di ku duhet të përmirësohet, por nga shtatlartësia që kemi te disa lojtarë, mund të bëjmë më mirë në situata nga goditjet standarde. Edhe nga kornet, edhe nga goditjet e dënimit mund t;i shfrytëzojmë në maksimum.

A janë këto kualifikuese nisja e një cikli të ri, të një epoke të re për futbollin shqiptarë?

Unë shpresoj që të jetë një nisje. Kemi lojtarë të mirë që po paraqiten mirë te ekipet e tyre. Më vjen keq që ndonjëherë, kemi patur atë pauzën disa-vjeçare. Kemi çaluar në lojë. Tani e shikoj çdo gjë në mënyrën pozitive.

A duhet të punojmë që tani për të rinovuar kontratën me Sylvinho-n, ka rritur Shqipëria nivelin, por e ka rritur edhe Sylvinho, mund të na e marrin….
Duhet ta shikojmë, nuk ishte diçka spontane. Ai ka patur pak kohë në dispozicion. Kemi ekip solid që hidhet mirë në fushën e lojës. Ka shumë ide, çelësi kryesor patjetër është trajneri.

A mund të kemi statusin e “hirushes” në Evropian Bogdani, A mund të bëjmë ndonjë surprizë?

Nëse nuk e kemi atë status, ne duhet të shpresojmë. Prandaj futbolli është i bukur. Duhet të jemi një skuadër e tillë. Në ndeshjet tek, të gjitha ekipet e forta kanë vështirësi të na mundin ne.

Miqësorja me Bullgarinë, mundësia për të eksperimentuar?

Patjetër, është një ndeshje e fortë. Ata lojtarë që kanë luajtur pak, duhet të tregojnë veten e vet. Çdo lojtar duhet të tregojë forcën e vet, tani po rritet rivalitetit.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb