Vdekja e Jurgen Veshit në vendin e punës në guroren ku punonte në fshatin Brataj, tronditi Shqipërinë dhe shqiptarët kudo nëpër botë. Një djalë që ende s’i kishte mbushur 24 vjeç, por që jeta e kishte rritur para kohe mes hallesh dhe sakrificash. Emisioni me “Zemër të Hapur” do të trajtojë sot pikërisht historinë e dhimbshme të të riut nga fëmijëria e vështirë, i braktisur dhe në varfëri te pamundësia ekonomike për të siguruar një jetesë të qetë edhe në ditët e sotme.

Jurgeni erdhi shumë i vogël në fshatin Brataj bashkë me nënën e tij, motrën dhe vëllanë.

Ai u braktis nga babai shumë i vogël dhe i braktisur mbeti nga ai edhe në përcjelljen e tij për në banesën e fundit.

Nëna e tij një grua me virtyte të jashtëzakonshme u martua në fshatin Brataj dhe ndërtoi jetën e saj nga fillimi edhe pse shumë e vuajtur dhe e sëmurë me një sëmundje të rëndë kronike.

Jurgeni u rrit para kohe dhe i doli zot familjes dhe shtëpisë, ai filloi të punonte që në moshën 12-vjeçare dhe sillte sado pak të ardhura në familje, për të mbajtur gjallë vëllanë, motrën, njerkun dhe nënën.

Nga kjo martesë erdhi në jetë dhe një fëmijë i katërt që Jurgeni e deshi shumë.

Familja tashmë kishte një hero që i doli zot dhe po e nxirrte nga vështirësia, por data 21 maj do të ishte dita më e kobshme e Jurgenit dhe familjes së tij, ai do të ndërronte jetë në vendin e punës dhe familja do të shkatërrohej përfundimisht shpirtërisht. Fshati Brataj ku Jurgeni u rrit ka më shumë se dy dite që është në zi, pasi “goja mjaltë” e Jurgenit, fisnikëria dhe zgjuarsia do t’i mungojë çdo familje në Brataj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb