Në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, gazetari i showbiz Elton Tozaj, ka thyer heshtjen duke rrëfyer ekskluzivisht shkaqet e dhunës ndaj tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Pas disa ditësh heshtjeje dhe një beteje të vështirë me jetën, gazetari Elton Tozaj nxorri në pah të pathëna që lidhen drejtpërdrejtë me atë çfarë ndodhi.

Gazetari ka deklaruar se dhuna ndaj tij lidhet drejtpërdrejt me punën e tij investigative.

Sipas Tozajt, sulmi erdhi pas publikimit të disa materialeve filmike që, sipas tij, provonin lidhje të rrezikshme mes personazheve të njohur të ekranit dhe individëve të botës së krimit.

Ai rrëfeu se mbrëmjen e ngjarjes ishte takuar me dy persona që i njihte, pa e ditur se takimi do të përfundonte në një akt dhune ekstreme. Nga momenti i sulmit, gazetari thotë se nuk mban mend asgjë, pasi ka humbur ndjenjat nga goditjet e forta.

“Misioni i gazetarit është të thotë të vërtetën, unë bëj showbizin, në dukje e lehtë. Por showbiz në Shqipëri është çdo gjë.

Çdo gjë që unë bëj e ka një qëllim. Shpresoj shumë që ata që përdorin showbiz për tu pasuruar, të hetohen.

Kam zbuluar se kush më ka ndihmuar. Është një djalë i ri 21 vjec, çdo biznes më ka përzënë dhe smë ka dhënë ndihmën e parë. Shumica e hoteleve është e mbushur me kokainë për personat e showbiz që i frekuentojnë”, tha Elton Tozaj, gjatë intervistës së tij dhënë autores Evis Ahmeti.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 26 dhjetor 2025, rreth orës 19:45 të mbrëmjes, kur gazetari Elton Tozaj u dhunua brutalisht, deri në humbje ndjenjash, dhe u hodh në rrugë pa ndihmë, duke u lënë për vdekje.

Pas kalimit të fazës më kritike shëndetësore, ai ka zgjedhur të flasë publikisht për herë të parë, duke deklaruar se do të dalë përpara opinionit publik me prova dhe fakte konkrete, duke nxjerrë në skenë emra të njohur të botës së showbizit dhe politikës, të cilët, sipas tij, lidhen me çështjen që çoi në dhunimin e tij.

Rasti i dhunës ndaj gazetarit rikthen edhe një herë në vëmendje rrezikun serioz me të cilin përballen gazetarët në ushtrimin e detyrës, si dhe nevojën urgjente për drejtësi dhe përgjegjësi për çdo akt që synon të heshtë fjalën e lirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb