Në intervistën e tij për “News24”, Sylvinho, trajneri i Kombëtares, foli për kontratën me FSHF-n, preku temën Broja, ndërsa nuk nguroi të bënte një koment për Rey Manaj apo për talentin e Mainz, Brajan Gruda:

Mister, keni firmosur ndonjë kontratë këto ditë, do e takoj Sylvinhon këto ditë më tha Duka, për të diskutuar kontratën e re, keni diskutuar?

Jo, nuk kam firmosur asgjë, por sinqerisht nuk jam i shqetësuar. Aktualisht kemi kontratë deri në përfundim të Evropianit, por nuk jam i shqetësuar. Së bashku me stafin këto ditë jemi marrë kryesisht me shortin, ndërsa 10 muajt e fundit kemi punuar intensivisht. Ne duhet të shfrytëzojmë këto 6 muaj për të rikuperuar forcat duke nisur nga janari për të punuar fort për të bërë diçka më shumë, kështu që për gjërat e tjera nuk jam i shqetësuar për asgjë.

 

Jeni gati për të qëndruar më gjatë në Shqipëri, jeni gati për të firmosur?

Sigurisht, ndihem shumë mirë këtu. Jemi duke bërë një punë të mirë, e dimë që kemi edhe besimin e futbollistëve, një raport të mirë me federatën, me gjithë njerëzit, jetojmë këtu në Tiranë, kështu që nuk kemi asnjë problem.

Mister, cila është ëndrra juaj, çfarë ëndërroni me Shqipërinë, cili është limiti?

Ndoshta unë kam një problem, ëndërroj shumë. Që fëmijë 15 vjeç kam që ëndërroj, isha i pari futbollist brazilian tek Arsenali. Shumë gjëra që kam ëndërruar, nuk janë realizuar, por disa janë plotësuar. Ëndërroj dhe punoj, por çfarë ofron e ardhmja, nuk e dimë.

Zgjodhët një kamp në Dortmund, por po lexoja komentet, të gjithë tifozët shkruanin “aty do na keni ditë natë”, e di që jeni detajist në maksimum, por për këtë pjesë si do ja bëni?

E bukur t’i dëgjoje që gjatë shortit në Gjermani, sepse atje kishte shumë shqiptarë, ishte shumë bukur.  Nuk më shqetëson asgjë, ne atje do të kemi një vend të mirë stërvitor. E dimë që do të kemi shumë njerëz që do të na mbështesin dhe do të jetë bukur t’i shohësh me ngjyrat kuqezi. Gjithsesi, për stërvitjet do të jemi të izoluar për 10 ditë para sfidës parë, për t’u përgatitur në mënyrën e duhur. Jam i sigurt që do të jemi të qetë në këtë aspekt.

Të gjithë e dimë tashmë që nuk ka një çështje “Broja”, por nuk dimë se çfarë plani ka Sylvinho për Brojën, e keni menduar ndonjë herë se si mund të ishte sulmi me të në formacion?

Po, është e vërtet që nuk ka asnjë problem, kam folur më shumë se një herë, edhe ai gjithashtu. Ai është një futbollist i fortë dhe i rëndësishëm, por vjen nga një dëmtim i rëndë dhe periudhe të gjatë rikuperimi. Ai ende ka një rrugëtim për të bërë, duhet të kujdeset për shëndetin e tij, për trupin e tij, pastaj të shohim. Ai ka nevojë për pak frymëmarrje tani, të zbresë në fushë, të luajë. Një futbollist si ai mund të luajë me çdo skuadër në botë, një sulmues i fortë, shënon, i ka të gjitha, por sigurisht edhe i ri. Kështu që duhet të luajë, të rritet si të gjithë të tjerët. Tani e rëndësishme se çfarë do të bëjë 4-5-6 muajt e ardhshëm te Çelsi në Premier Ligë, të shfrytëzojë çdo mundësi, këtë duke e bërë për veten në radhë të parë, pastaj për ne.

Këtë periudhë po shkëlqen edhe Rey Manaj, ju e njihni, ke komunikuar ndonjë herë, mund të jetë një opsion?

E njoh që nga 2014, por kanë kaluar 9 vjet që atëherë. Është një futbollist që e kemi pasur në monitorim, si 50 të tjerë. Është një lojtar i fortë, edhe ai vjen nga dëmtim, por po bën mirë dhe varet tani gjithçka nga ai. Ne jemi këtu, por nuk kam komunikuar me futbollistin kohët e fundit. Kam pirë kafe në Londër para 6-7 muajsh dhe e njoh mirë, mjafton që ai të bëjë mirë dhe ne shkojmë e vizitojmë sërish, ashtu si me gjithë futbollistët e tjerë.

Së fundmi gazeta gjermane Bild ngriti alarmin, “FSHF kërkon të marrë Brajan Grudën”, futbollistin e Mainz, e njihni, është realisht kështu, të pëlqen?

E njoh futbollistin, por nuk është vetëm ai, janë shumë shqiptarë në Europë, në të gjithë botën. Kjo është pjesa e punës sonë që duhet të kuptojmë se cili është i duhuri. Në fund, nuk jemi ne që vendosim, vendos futbollisti. Se ai, ndonjë tjetër apo shumë të tjerë që duan të luajnë për Shqipërinë, shumë bukur, ne jemi këtu, Kombëtarja i ka gjithnjë dyert e hapura. Janë shumë shqiptarë, por e njoh djaloshin, është sallaks, luan me Mainz në Gjermani në Bundesligë, por sic e thashë janë edhe shumë të tjerë.

Mister, në fund, unë “selfie” me kupën nuk mund të bëja, por një foto me ju tani në fund do e bëja me kënaqësi nëse më lejoni…

Me të gjithë kënaqësinë e botës, por do ta bëj unë selfien. Mundem?

-Faleminderit për intervistën, shpresojë të realizoni një tjetër mrekulli në Gjermani!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb