Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka vënë sekuestro mbi pasuritë e të dyshuarve si krerët e grupit kriminal të AKSHI-t, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, si dhe disa të dyshuarve të tjerë.
Emisioni “Në Shënjestër”, me autore Klodiana Lalën, në News24, publikoi detaje nga aksioni i SPAK, ku mësohet se 29 pasuri të sekuestruara i përkasin Ergys Agasit dhe ku bëhet fjalë për apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të preferuara të Tiranës dhe Durrësit, shtatë llogari bankare dhe kompania AE SOLUTION.
Ndërsa, Ermal Beqirit i janë vënë nën sekuestro 10 pasuri të paluajtshme, përfshirë dhe një jaht luksoz, llogaritë e kompanisë “Soft&Solution”, 8 automjete dhe llogaritë e vetë Beqirit.
Ndërsa, kompanive “FIRST” e Gëzim Hoxhës; “Fasttech” dhe “Fasttech&Fresh” e Andis Papas, dhe asaj “Albascan” të Elision Jorgjis u janë bllokuar fondet.
Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, sipas Prokurorisë, urdhëronin rrëmbimin e rivalëve dhe nën kërcënim i detyronin të tërhiqeshin nga tenderat në AKSHI.
