“BalkanWeb” zbulon për herë të parë detajet e ekzekutimeve të përgjakshme të një prej hakmarrjeve më të forta mes shqiptarëve në Greqi. Emra dhe foto të papublikuara më parë, që marrin indicie nga vrasja që zgjoi edhe njëherë sagën e krimeve të përgjakshme të viteteve 2007-2008.

Kur në 30 maj në Sepolia, Athinë, u ekzekutua me armë zjarri një shqiptar 32-vjecar, për të gjithë u duk atentati i zakonshëm i radhës. Por, kur u mësua identiteti i vërtetë i tij, atëherë gjërat ndryshuan dhe shumë ngjarje u lidhën njëra me tjetrën në 15-vjecarit e fundit.

Ari Kosta Papa, i datëlindjes 02.10.1989, nga fshati Dhiver i Sarandës, i njohur me pseudonimin “Ari vogël”, nuk rezulton të ketë fotografi as në rregjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazëm”, edhe pse një ish-oficer i policisë së Sarandës, i cili kërkon që identiteti i tij të mbetet i fshehtë, shprehet se: “Arin e vogël e njoh vetëm si emër, por të dhënat e mia e lidhin atë ndoshta me krime të ndodhura në Sarandë në vitet 2005-2006 ose me protagonistë banorë të Sarandës në Athinë në vitet e mëpasshme”.

Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal. Ai ishte i skeduar për trafik droge dhe grabitje, por ajo që e ngarkonte më tepër historinë e tij ishte tentativa për ta eleminuar fizikisht, edhe jo njëherë, por tre herë, aq sa ai lëvizte rrugëve të Athinës me anti-plumb. Herën e katërt, ata që e deshën të vdekur, ia arritën qellimit. Pak minuta para se ora të shënonte 18.00, 32-vjecari nga Saranda u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ari Papa ishte tentuar të vritet edhe në 26.05.2019. Ai u qëllua rreth orës 20.40 me pistoletë në kofshë në vendin e quajtur “Stacioni Larisit”. U transportua menjëherë në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku mori ndihmën e parë dhe shpëtoi nga rreziku për jetën. Gjatë kontrollit policia i gjeti në trup një sasi të vogël marijuane.

Ari Papa fillon të mbrohet, duke parandjerë se vdekja i afrohej. Në 25.02.2021 arrestohet nga policia greke në qendër të Athinës duke udhëtuar mbi një patinë elektronike. Ai mbante veshur një anti-plumb, ndërsa në brez kishte një pistoletë turke të llojit Baikal. Cuditërisht policia e lë të lirë. Një ditë më pas, bie sërish pre e atentatorëve të tij. Aty ku u godit në 2019, pikërisht në “Stacionin e Larisit”, aty goditet përsëri në 26.02.2021. Ishte ora 20.00 kur Papa ndodhej midis rrugëve “Mixail Boda” dhe “Agorakritou”, kur pasagjerët e një taksie qëlluan me armë në drejtim të tij. Papa mori dy plagë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit ku sërish i shpëtoi vdekjes.

Atentatorët u larguan duke kërcënuar shoferin e taksisë, por më pas e braktisën mjetin së bashku me dy pistoleta dhe sende të tjera. Papa tha për policinë se ndodhej në vendin e ngjarjes së bashku me dy shokë të tij të quajtur Orlando dhe Ani, të cilët jo vetëm që u larguan me vrap pas ngjarjes, por as e kontaktuan më pas për ta pyetur për shëndetin. Megjithatë policia përfundoi hetimet për ngjarjen në 13 mars duke arrestuar 7 persona dhe shpallur 1 në kërkim për trafik droge dhe akuza të tjera, 3 prej të cilëve rezultuan se kishin rol aktiv edhe në atentatin ndaj Papës. Media greke pa u thelluar zbuloi se 3 të dyshuarit për atentatin ndaj Papës ishin shqiptarët “Mili” 38-vjec (nën arrest), “Dorian” 32-vjec (në kërkim) dhe “Landi” 30-vjec (nën arrest). “Mili”, një shqiptar i rrezikshëm ishte i përfshirë dhe një ngjarjen e 20 dhjetorit 2020 ku policia greke gjeti një Kallashnikov në një makinë në Kipseli.

Megjithatë policia greke e lidh veprimtarinë e Ari Papës me atentatin e parë të ndodhur ndaj tij, pikërisht në 20.07.2007, kur ai ishte vetëm 18-vjec. “BalkanWeb” hedh dritë mbi atentatin e parë ndaj Ari Papës dhe historisë së përgjakshme të 14 vrasjeve dhe 13 tentativave të vrasjeve të ndodhura nga përplasja e bandave shqiptare në vitet 2007-2008 në Greqi. Për një pjesë të ngjarjeve u arrestua shqiptari i rrezikshëm Dashamir Kasemi dhe grupi i tij.

“BalkanWeb” zbulon për herë të parë emrat e viktimave dhe fotot e ngjarjeve, si dhe detaje të tjera ekskluzive. Pikërisht Papa ishte pjesë e përplasjes së këtyre bandave duke mbetur i plagosur në atentat nga grupi i të ashtuquajturit “Dashi”, ndaj dhe media greke e quan vrasjen e tij si pjesë e këtij zinxhiri.

Në 20.07.2007 u krye atentati i parë ndaj Ari Papës. Ai u qëllua me armë në kryqëzimin e rrugëve “Liosion” dhe “Sozopoleus” në Athinë. Papa mbeti i plagosur së bashku me shtetasin e huaj Georgio Tarnovalinski. Për policinë greke, sarandioti Papa është i skeduar në këtë ngjarje si Aristidi Pappa.

Për atentatin e parë ndaj Ari Papës si dhe për 10 atentate të tjera dhe 11 vrasje policia greke arrestoi Dashamir Kasemin, Kreshnik Kasemin, Bledar Ahmetajn dhe Roland allias Silvio Caren. Ky i fundit rezulton aktualisht person në kërkim në Shqipëri për vrasjen e 42-vjecarit Shkëlzen Kastrati në Fier në shkurt 2021.

Cfarë ndodhi në vitet 2007-2008 mes bandave shqiptare në Greqi, ku bënte pjesë edhe Ari Papa?

Një grup i madh shqiptarësh, kryesisht të rinj që më pas do të ktheheshin në vrasës, organizuan një bandë prej 20 personash me qëllim trafikimin e drogës. Pas prishjes së pazarave mes tyre, grupi u nda në dy pjesë. Në këtë moment ndërmjet tyre filloi një luftë e ashpër për kontrollin e trafikut të drogës që përfundoi me vrasjen e të gjithë anëtarëve të njerit grup përvec një prej tyre që u arrestua në qershor 2007, ndërsa nga grupi tjetër mbetën 5 persona, 4 u arrestuan në 2008 dhe njëri u shpall në kërkim.

Për herë të parë, emra e viktimave të përplasjes së përgjakshme të atyre viteve:

16.03.2007 në rrugën “Paraskevopoulo” në Agio Pantaleimona, Athinë vritet Erland Nimani, 22-vjec. Ai u vra në Internet-Cafe “Lan Games”, duke u qëlluar me 5 plumba nga dy persona.

01.03.2008 në rrugën “Axarnon” në Agio Pantaleimona, Athine vritet Anduel Zoto, 21-vjec. Ai u qëllua teksa udhëtonte me motorr ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën 9 gëzhoja dhe 1 krëhër i boshatisur. Zoto ishte shok i ngushtë i Erland Nimanit.

27.03.2008 tentohet të vritet në një park në Sepolia, Stilian Ahmeti 21-vjec teksa ndodhej së bashku me Silvio Caren. Ahmeti mbeti i plagosur në këmbë. Ahmeti vite më vonë u arrestua bashkë me një rumune 22-vjec për grabitje argjendarie, ndërsa Silvio Cara që aktualisht kërkohet në Shqipëri u arrestua si pjesë e bandës së vrasjeve të viteve 2007-2008.

08.06.2008 në rrugën “Raidhestou” në Tampouria, Pire vritet Elvis Bogdani 23-vjec. Në vendngjarje u gjetën 2 pistoleta që i përkisnin Bogdanit dhe disa fishekë të qitura nga armët e atentatorëve. Autorët e vrasjes u identifikuan nga nëna e viktimës, e cila ishte dëshmitare okulare së bashku me motrën dhe një shoqe të viktimës. Bogdani ishte rekrutuar nga banda që në vitin 1998 kur ishte 12-vjec ndërsa pas disa vitesh u shkëput duke krijuar grupin e tij. Një shkrim i gazetës “To Vima” në dhjetor 2014, indirekt përmend emrin e Klodian Lekocajt si i përfshirë në vrasjen e Bogdanit. Lekocaj njihet si një ndër të ashtuquajturit krerë të “Mafies së burgjeve” në Greqi, të përfshirë në vrasjen e avokatit grek Zafiropoulos dhe disa shqiptarëve të tjerë në burgjet greke si Arbër Bako e Bandiol Tusha allias Bardhyl Tusha.

05.09.2007 në një apartament në rrugën “Vorio Epiri” në Kolono, Athinë vriten Vasil Lici 25-vjec, Aldo Agalliu 21-vjec dhe Besnik Pajaziti 25-vjec. Ata ishin qëlluar me armë në kokë ndërkohë që në banesën e tyre u gjetën vec armatimit edhe uniforma të policisë greke si dhe drogë.

21.10.2007 në rrugën “Neof. Metaksa”, Athinë dy persona të maskuar qëllojnë në brendësi të një kafeneje duke vrarë shtetasit Edmir Cela 33-vjec dhe Eleni Stathoulopoulou ndërsa u plagosën pronari i kafenesë Shkëlqim Velcani si dhe Ledjo Stamarko, Erkan Cuko e Rulan Pasa. Në vendngjarje policia gjeti sasi të madhe droge ndërkohë që rezultoi se Velcani ishte person në kërkim.

18.01.2008 jashtë një kafeneje në rrugën “Ermou” dhe “Keratsini” vritet Kristaq Qirko 44-vjec. Ai mori 21 plumba në trup teksa po drejtonte motorrin e tij. Qirko, një person me precedentë të shumëfishtë penale, ishte liruar nga burgu në 15.05.2001 dhe në 17.07.2001 i ishte bërë atentat nga dy persona duke mbetur i plagosur.

21.03.2008 në një zonë pyjore në Maratone të Athinës u gjet kufoma e Albert Hoxhes, i cili u gjet i zhveshur dhe me plagë në kokë shkaktuar nga armë zjarri. Viktima ishte me precedentë të mëparshëm penale.

20.07.2007 në kryqëzimin e rrugëve “Liosion” dhe “Sozopoleos” tre persona plagosin me armë zjarri shtetasit Georgio Tarnovalinski dhe Aristidi Pappa.

16.08.2007 në rrugën “Mermiga” ne Agio Pantaleimona kater persona tentuan të vrasin me armë zjarri shtetasin Erald Perri, i biri i Leandrit dhe Mirandës, 22-vjec nga Libofsha e Fierit.

26.04.2008 në rrugën “El. Venizelos” në Nea Smirni dy persona qëlluan në drejtim të shtetasve Elton Hamitaj, Tonin Kola dhe Leonard Ndokaj të cilët udhëtonin në një makine. Si pasojë mbeti i vrarë Hamitaj dhe u plagos Kola. Te tre personat ndaj të cilëve u qëllua ishin me precedentë të mëparshëm penale.

14.05.2008 në rrugën “Alkiviadou” ne Agio Pantaleimona u qëllua drejt një kafeneje ku mbetën të vrarë rumuni Paul-Catalin Botezatu dhe shqiptarët Fluturim Lalaj dhe Afrim Zeneli allias Fotaq Dimeli.

Një pjesë të madhe të këtyre vrasjeve policia greke ja faturoi Dashamir dhe Kreshnik Kasemit, Roland allias Silvio Cares dhe Bledar Ahmetajt, të cilët u arrestuan në vitin 2008, por që jo të gjithë ndodhën ende në qeli.

Në fakt Dashamir Kasemi aktualisht 46-vjec, ose “Dashi” nga Vlora nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Në vitin 1999 ai u arrestua së bashku me shtetasit Edmond Gani, Ilir Sema, Eduard Hila, Maria Kaza, pasi së bashku me të kërkuarin e atëhershëm Genti Gjika, u akuzuan për torturimin duke e djegur me hekur e cigare 18-vjecarin atehere Edi Myftari.

Megjithatë, përtej lidhjeve me bandat e viteve 2000 në Greqi, policia greke heton edhe në dy pista të tjera në vrasjen e Ari Papës. Njëra është përpjekja e tij për të krijuar grupin e tij në trafikun e marijuanës dhe kokainës dhe tjetra lidhet me një vrasje e grabitje të ndodhura në Renti në 2012 dhe në komunikimet që Ari Papa kishte atë periudhë me krerë të policisë greke.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb