Në kuadër të aktiviteteve të përkujtimit të “Eksod ’99”, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu ishte në Mitrovice ku u prit nga Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri.

Gjatë takimit mes dy kryetarëve u bisedua edhe për situatën në Mitrovicë dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët ndërsa vlerësuan si të shkëlqyeshëm bashkëpunimin midis Mitrovicës dhe Kukësit.

Kryetari Shehu i shoqëruar nga Kryetari i Komunës Mitrovicë, Agim Bahtiri, bëri homazhe në vendin ku u pushkatuan dhe masakruan qytetarë të Mitrovicës në 15 Prill 1999 dhe tek varrezat e dëshmorëve.

Gjithashtu Kryetari Shehu së bashku me Kryetarin Bahtiri dhe Kryetarin e Komunës Skenderaj, Bekim Jashari vendosën buqeta me lule dhe zhvilluan homazhe në memorialin e Heroit Legjendar Adem Jashari.

Shehu u shpreh se “ngjarjet e Marsit ’99 dhe qëndresa heroike deri në flijim e familjes Jashari për lirinë e Kosovës është epopeja më e lavdishme e historisë së kombit. Memoria e shqiptarisë duhet të ushqehet me këto vlera të çmuara e t’ua përcjellë brezave se çfarë çmimi ka liria. Është detyrim i çdo shqiptari të punojë për ndërtimin e të ardhmes tonë të përbashkët europiane”.

Manifestimi i 19 vjetorit të “Eksod ’99” nisi dje në Kukës me hapjen e Panairit Kombëtar të Librit, për të vazhduar sot në Mitrovicë, nga ku do të nisë edhe marshimi simbolik drejt Kukësit, ku do të zhvillohet edhe tubimi i madh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb