Vaksina e prodhuar nga “AstraZeneca” mund të përdoret gjithashtu në vendet ku ka variante të COVID-19, rekomanduan 15 ekspertët e OBSH-së të specializuar në imunizime.

“Vaksina ‘AstraZeneca’ mund të përdoret edhe në vendet ku janë të pranishme variante të koronavirusit të ri”, shpjegohet në raportin e tyre.

Udhëzimet e OBSH vijnë pak ditë pas botimit të një studimi, që tregon se vaksina ofron më pak mbrojtje ndaj variantit 501Y.V2 të COVID-19, që u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut.

Organizata e KB-së vuri në dukje se rezultatet e këtij studimit treguan vetëm efikasitet të kufizuar kundër formave të lehta të COVID-19, por që nuk kishte prova se vaksina nuk mbron nga format e rënda.

Prandaj OBSH rekomandoi përdorimin e produktit edhe nëse variante të koronavirusit janë të pranishme në një vend.

Megjithatë, ajo shtoi se ekziston një nevojë urgjente për një qasje të koordinuar për mbikëqyrjen dhe vlerësimin e varianteve dhe ndikimin e tyre të mundshëm në efikasitetin e vaksinës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb