Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale në Hagë nuk mund të ndikojë në vendimet gjyqësore që Haga ka marrë tashmë, sipas ekspertit të së drejtës ndërkombëtare, Marko Millanoviq.

Millanoviq, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Reding në Mbretërinë e Bashkuar, i thotë Radios Evropa e Lirë se, megjithatë, vendimi i administratës së Donald Trumpit, në njëfarë shkalle, e dërgon një mesazh jashtëzakonisht të keq.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale në Hagë i tha Radios Evropa e Lirë (RFE) se aktualisht nuk është në pozitë për të komentuar mbi vendimin e SHBA-së.

Mekanizmi është pasardhësi i Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, i cili ndoqi penalisht krimet e luftës të kryera gjatë luftërave të viteve ‘90 në Bosnje Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë.

Vendimi i Trump ka çuar në tërheqjen e SHBA-së nga 35 organizata jo-anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe 31 organe të tjera të OKB-së. Këto të fundit përfshijnë Mekanizmin.

Siç shpjegohet në memorandumin që shoqëron këtë vendim, për organet që veprojnë brenda Kombeve të Bashkuara, “tërheqja do të thotë ndërprerja e pjesëmarrjes ose e financimit të tyre, në masën e lejuar nga ligji”.

Mekanizmi u krijua nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, me idenë e zëvendësimit të Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Ruandën.

Ashtu si në rastin e institucioneve të tjera të Kombeve të Bashkuara, Shtetet Anëtare të OKB-së ndajnë kontribute të detyrueshme për ta financuar Mekanizmin, në përpjesëtim me kapacitetet e tyre financiare.

Sipas Millanoviqit, në këtë moment është e vështirë të vlerësohet se çfarë pasojash mund të ketë vendimi i SHBA-së në punën e këtij institucioni.

“Në fakt, nuk e dimë nëse ka ndonjë mënyrë alternative për të fituar para”, thotë Millanoviq.

Ai shton se kjo mund të ndikojë në zgjatjen e mandatit të Mekanizmit, i cili skadon këtë vit.

Megjithatë, Millanoviq vëren se deri më tani, as Rusia – e cila është gjithashtu anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit – nuk e ka sabotuar punën e Mekanizmit.

“Dyshoj shumë se Shtetet e Bashkuara do të thonë – ne jo vetëm që nuk do ta mbështesim këtë në mënyrë të qartë, por do të vëmë veton edhe ndaj zgjatjes së mandatit të Mekanizmit. Por, vetë fakti që atyre u mungojnë burimet do të thotë se nuk mund t’i kryejnë të gjitha funksionet që kanë kryer deri më tani”, nënvizon Millanoviq.

Profesor Millanoviq thekson se vendimi i SHBA-së nuk mund të ndikojë në vendimet e dhëna më parë nga Mekanizmi.

“Ato vendime janë dhënë dhe janë përfundimtare”, thotë Millanoviq.

Përpara këtij institucioni, ndër të tjerë, zyrtarët më të lartë ushtarakë dhe politikë të Republikës Sërpska u dënuan përfundimisht për gjenocid dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare gjatë luftës në Bosnje.

Mekanizmi ka lëshuar vendime përfundimtare në çështjet kundër ish-presidentit të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, i dënuar me 40 vjet burgim për krime në Bosnje, si dhe ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar në shkallën e parë me burgim të përjetshëm.

Në maj të vitit 2023, ish-kreu i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të Serbisë, Jovica Stanishiq, dhe ndihmësi i tij, Franko Simatoviq, u dënuan me nga 15 vjet burgim secili për krime kundër popullsisë joserbe në Bosnje dhe në Kroaci.

Ky vendim i dha fund të gjitha procedurave para kësaj gjykate për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Millanoviq beson se tërheqja e SHBA-së mund të ndikojë në çështjet që janë në vazhdim, siç është ajo në të cilën Mekanizmi po ndjek penalisht dy anëtarë të Partisë Radikale Serbe të ekstremit të djathtë për shpërfillje të gjykatës.

“Kemi një situatë ku Serbia refuzon të bashkëpunojë me Mekanizmin në atë rast. Tani, kur administrata amerikane po dërgon një mesazh se nuk është më e interesuar për atë gjykatë, kjo do të thotë se çdo presion mbi Serbinë është shumë më i vogël”, beson Millanoviq.

Për më shumë se një dekadë, Serbia ka refuzuar të ekstradojë në Hagë anëtarët e Partisë Radikale Serbe, Petar Jojiq dhe Vjerica Radeta. Gjykata e Hagës i akuzoi ata në tetor 2012 për ndikim te dëshmitarët në gjyqin kundër udhëheqësit të partisë së tyre, Vojisllav Sheshel.

Tribunali i Hagës lëshoi fletarrestimin e parë për Jojiqin dhe Radeten në Serbi në vitin 2015, dhe që atëherë Beogradi ka refuzuar t’i ekstradojë ata, duke shpjeguar se nuk ka “asnjë bazë” për këtë, pasi Ligji i Serbisë për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës përcakton detyrimin për të ekstraduar vetëm ata të paditur për krime lufte, dhe jo ata të akuzuar për shpërfillje të gjykatës. Ky interpretim është hedhur poshtë nga gjykata në Hagë në disa raste./REL/

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: