Gjon Juncaj, prej të hënës do të nisë punën e tij në Prokurorinë për Krime të Rënda, konkretisht për t’i dhënë asistencë trupës së prokurorëve të Task Forcë, të cilët po hetojnë rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Burime pranë Prokurorisë për Krime të Rënda thanë se në ambientet e kësaj prokurorie është përgatitur një zyrë, ku shqiptaro-amerikani do të vendoset për një periudhë të pacaktuar, për të ndjekur nga afër çështjet që lidhen me korrupsionin.
Eksperti i misionit OPDAT prej gati 15 vjetësh shërben pranë Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka mbajtur pozicione të ndryshme në zyrat e këtij departamenti që prej vitit 2001. Pak javë më parë u lançua emri i tij për të mbërritur në Shqipëri, ku dhe do të japë ndihmesë në çështje që konsiderohen si kyçe, pasi njësia pranë se cilës do të japë ndihmesë me ndryshimet ligjore të para një viti ka në kompetencë për hetimin e çështjeve të korrupsionit.
Në fakt, sipas një deklarate të bërë nga zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se një Njësinë e Specializuar Task Forcë janë duke u shqyrtuar jo pak, por 400 raste për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Të gjitha këto raste, Juncaj mendohet t’i ndjekë nga afër dhe të japë asistencën e tij. Ndihma e prokurorit Juncaj vjen në kohën kur në Shqipëri reforma në drejtësi është kryefjala jo vetëm e politikës, por duket se është detyra kryesore që qeveria duhet të përmbushë, e vetëm në këtë mënyrë do t’i hapej rruga drejt integrimit në BE.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
