Edhe pse vuante burgimin e përjetshëm në Britaninë e Madhe, Hekuran Billa, arriti t’i shpëtonte hekurave të drejtësisë ishullore. Ai shfrytëzoi të drejtën ligjore për vuajtjen e dënimit në vendin e origjinës dhe për këtë arsye në vitin 2007 u ekstradua nga autoritetet britanike në Shqipëri. Me sa duket, jo pa një qëllim të mirëmenduar.

Vetëm 7 vite më pas, në vitin 2014, Gjykata e Shkallës së Parë në Shqipëri, i njohu vendimin e gjykatës britanike atë me burgim të përjetshëm.

Por çuditërisht në vitin 2016, magjistrati i Gjykatës së Apelit, Lefter Jahaj, prishi këtë vendim të drejtësisë britanike dhe vendosi dënimin përfundimtar të Billës, me 25 vite burgim.

Në vendim thuhej se Hekuran Billa duhet të vuante dënimin nga dita e arrestimit në Shqipëri 15 nëntor 2007. Pra, sipas këtij vendimi, edhe pse çuditërisht shumë zemërgjerë, ditën e ekzekutimit, viktima duhet të ishte në qeli dhe jo të lëvizte i lirë, pasi kishte kryer vetëm gjysmën e dënimit të dhënë nga Gjykata e Apelit.

Por në fakt, për ta ndihmuar të ishte i lirë, Hekuran Billës i kishte shërbyer një tjetër vendim absurd i drejtësisë shqiptare. Ai kishte lënë qelinë në shkurt të vitit 2019.

Ky lirim ishte bërë i mundur nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha. Ndërsa duhet të vuante edhe rreth 10 vite dënim, gjyqtarja Hoxha i kishte njohur të dënuarit disa amnisti. Duke i falur 5 vitet e fundit të dënimit si edhe duke e nxjerrë nga burgu në shërbim prove.

E njëjta gjyqtare që kishte liruar para kohe nga burgu edhe shumë vrasës të tjerë e krerë bandash kriminale, disa prej të cilëve me njohje dhe lidhje të forta me Hekuran Billën.

Magjistrate, që u ndëshkua me masën disiplinore të shkarkimit nga detyra nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për shkak të lirimit të padrejtë të Billës, dhe që sot ndodhet po vetë pas hekurave të qelisë, e arrestuar nga SPAK, në vendin ku në fakt duhet të ishin ende vrasësit që liroi.

Lirimi i parakohshëm nga burgu i Hekuran Billës, sigurisht që duket se nuk i shpëtoi vëmendjes së armiqve të tij, të cilët nisën menjëherë punën për organizimin e eliminimit të tij që dukej se kishte të bënte me vrasjen që ai kishte kryer në Londër. Dyshimet mbi autorësinë e vrasësve dhe lidhjen me krimin e ndodhur në Londër, i pohoi në polici edhe vëllai i viktimës.

Elmi Billa u tha hetuesve se në vitin 2008 vëllai i tij ishte dënuar në shtetin anglez për vrasjen e Prelë Markut.

Elmi Billa, vëllai i Hekuran Billës

“Në vitin 2019 pasi ka dalë nga burgu Hekurani është marrë me tregti. Kohët e fundit ka hapur një pikë për dhënien e mjeteve me qira. Pas lirimit kemi jetuar në të njëjtën shtëpi. Hekurani nuk ka pasur asnjë problem tjetër, përveçse me familjen Marku. Dyshimet për vrasjen e vëllait i kam vetëm tek kjo familje”.

Në cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat e ngjarjes, policia mori edhe dëshminë e njërës prej motrave të Hekuran Billës.

Ajo mohoi që vëllai i saj të kishte lidhje me krimin e ndodhur në Londër, ku ai akuzohej si nga gjykata, ashtu edhe nga familja Marku.

Lulzimja, motra e Hekuran Billës

“Në lidhje me familjen Marku dua të sqaroj se vëllai im nuk e pranonte të kishte kryer krimin. Për këtë arsye nuk kërkonte pajtim. Hekurani nuk ka pasur asnjë problem tjetër dhe ecte pa probleme në rrugë”.

Por motra tjetër e Hekuran Billës, edhe kjo e pyetur në polici, ndryshe nga motra e parë, pranoi se problemi i vetëm që kishte vëllai i saj ishte me familjen Marku.

Madje sipas informacioneve që kishte, kjo familje kishte bërë festë për vrasjen që ata kishin kryer.

Violeta, motra e Hekuran Billës

“Gjatë pritjes së ngushëllimeve persona të ndryshëm më kanë treguar se familja Marku kishte bërë festë, duke thënë se kishin marrë hakun e vëllait që i kishte lënë amanet babai i tyre. Në familjen e tyre nuk i ka shkuar asnjë person për t’i çuar fjalë në lidhje me këtë vrasje sipas kanunit.

Problemi i vetëm që Hekurani ka pasur ka qenë me këtë familje dhe dyshimet e vetme në lidhje me vrasjen janë familjarët e Prelë Markut”.

Nisur nga këto dëshmi por edhe inkriminimi i Hekuran Billës referuar dosjes së drejtësisë, grupi hetimor shkoi drejt ndalimit të autorëve që ishin të afërm të Prelë Markut, të ekzekutuar në Londër nga Hekuran Billa.

9 ditë pas vrasjes së Billës, më 19 qershor 2020, Policia e Malit të Zi arrestoi me kërkesë të homologëve të saj shqiptar, Viktor Markun, vëllain e Prelë Markut të vrarë nga Billa, edhe ky me një të shkuar kriminale. Pasi në vitin 2013 ishte dënuar nga Gjykata e Kurorës në Harroë me 6 vite burg, për veprën e organizatës kriminale me qëllim grabitje, ndërsa ishte skeduar edhe në shtete të tjera europiane për përfshirje në veprimtari kriminale.

Ndërsa një ditë përpara se të arrestonte Viktor Markun, policia kishte ndaluar edhe Sebastian Malin, nipin e tij.

Sipas grupit hetimor, Mali, që i mohoi akuzat në gjykatë, kishte pasur rolin e vëzhguesit në atentatin e kryer. Ai ishte dalluar gjatë këqyrjes së kamerave, teksa ditën e ngjarjes lëvizte në zonën e ‘Komunës së Parisit’, ku u krye atentati.

Por ai tha se ai ndodhej aty fare rastësisht, pasi po bënte pazar.

Mbi këta dy persona rëndoi akuza e vrasjes për shkak të gjakmarrjes dhe armëmbajtjes pa leje. Më datë 29 qershor, 18 ditë nga krimi, policia arrestoi edhe 26-vjeçaren, Adiola Lakra. Kjo e fundit, u ndalua si bashkëpunëtore në ekzekutimin e Hekuran Billës. E reja, që kishte lidhje intime me viktimën, dyshohej se kishte bashkëpunuar me Sebastian Malin dhe Viktor Markun me qëllim ekzekutimin e të dashurit të saj.

Ajo dyshohej se kishte marrë në telefon Hekuran Billën para krimit dhe i kishte lënë takim në zonën e “Komunës së Parisit”, aty ku edhe po e prisnin vrasësit.

Por Adiola Lakra mohoi të kishte dijeni për rrethanat e vrasjes, ndërsa pohoi gjatë marrjes në pyetje, një fakt tejet interesant.

Atë, që përpara se të ishte e dashura e Hekuran Billës, ajo kishte qenë e lidhur prej afro dy vitesh me Sebastian Malin, nipin e Prel Markut, të vrarë nga Billa në

Adiola Lakra, e dashura e Hekuran Billës

“Me viktimën kam pasur një lidhje dashurore dhe asgjë tjetër. Me Sebastian Malin kam pasur një lidhje rreth 2 vite më parë gjatë kohës kur kam qenë komshi me të. Lidhja ka zgjatur 2 vite dhe shkëputja mes nesh erdhi pasi marrëdhënia jonë nuk po funksiononte më. Ditën e ngjarjes mesa mbaj mend nuk kam komunikuar në telefon me Sebastianon dhe familjarë të tij. Në mbrëmje, kohë e cila mund të ishte pas ngjarjes kam parë Sebastianon me makinën e tij ‘Smart’ pranë shtëpisë së tij, pasi jemi komshinj. Vendet e takimeve mes meje dhe Hekuranit nuk kanë qenë gjithmonë në të njëjtën vend ku ai u vra atë natë. Më lind një dyshim që Hekuranin ose mua mund të na kenë ndjekur ose vëzhguar dikush deri në vendin e takimit”.

E pyetur nga grupi hetimor se përse e theu aparatin celular me të cilin komunikoi për herë për të fundit me viktimën, Adiola Lakra u shpreh se e kreu këtë veprim në kushtet e tronditjes së fortë.

“Pasi mora vesh që Hekuranin e kishin vrarë pësova një tronditje të fortë psikike, përveç telefonit tim kam thyer edhe disa orendi shtëpiake. Nuk mbaj mend çfarë numri celulari kam pasur. Ditën e ngjarjes mesa mbaj mend më ka telefonuar viktima Hekuran Billa rreth orës 17:00. Unë isha në ‘TEG’ me një shoqen time, Sara quhej, mbiemrin nuk ia kujtoj. E lamë të takoheshim rreth orës 8- 9 të darkës tek qendra ‘Kristal’ në ‘Komunën e Parisit’ pasi ai atje kishte një punë tjetër. Mjeti me të cilin unë kam qarkulluar është pronë e imja dhe gjithmonë e parkoja para shtëpisë time. Ditën e ngjarjes paradite kam qenë në Durrës, aty kam qenë prej 2-3 ditësh. Rreth orës 15:00 jam kthyer në shtëpi. Kam qëndruar fillimisht aty dhe më pas kam shkuar në ‘TEG’, siç e shpjegova edhe më lart. Rruga që unë kam ndjekur ka qenë nga shtëpia ime tek qendra “Kristal” për të takuar Hekuranin.”

Nga burgu 325 ku vuante paraburgimin, Adiola Lakra dëshmoi gjatë intervistimit nga grupi hetimor, se gjatë rrugës për të takuar të dashurin e saj, nuk kishte parë asnjë prej familjarëve të shtetasit Sebastiano Mali, të dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës.

Personi i fundit i ndaluar për ekzekutimin e Hekuran Billës, ishte 33-vjeçari Petrit (Xhekson) Pusi. I njohur si shok i ngushtë me Viktor Markun, Pusi u arrestua më 30 qershor në qytetin e Shkodrës, për një vepër tjetër penale. Ai dyshohej se ka qenë personi që drejtoi makinën me të cilën u krye atentati ndaj Billës.

Pusi nuk e mohoi që kishte njohje me Viktor Markun, ekzekutorin e dyshuar të Hekuran Billës, por mohoi të ishte i përfshirë në krim duke thënë se natën e ngjarjes kishte qenë në shtëpinë e tij në Shkodër.

Si alibi ai përdori faktin që ishte në ‘arrest shtëpie’ për një ngjarje të kryer vetëm disa kohë para se të ekzekutohej Hekuran Billa. Ai nuk u mor nën akuzë, pasi një profil ADN-je, i përftuar nga mbetjet biologjike të gjetura në makinën e krimit, nuk rezultoi i përputhshëm me kodin e tij gjenetik.

Dëshmia, Petrit (Xhekson) Pusi

“Viktor Markun e kam kushëri të largët të dajave të nënës time. Ai banon në një distancë rreth 500 m nga banesa ime. Kemi vite që njihemi dhe komunikojmë me njëri-tjetrin por nuk është se kemi ndonjë miqësi.

Sebastian Malin e njoh si fytyrë pasi është nipi i Viktorit, por nuk kam muhabet me të. Natën e vrasjes së Hekuran Billës kam qenë në shtëpinë time për shkak se kisha një masë sigurie ‘Arrest Shtëpie’ nga Gjykata”.

Dajë dhe nip, Viktor Marku dhe Sebastian Mali, u liruan më 27 shtator 2021 nga qelitë dhe po mbahen nën arrest shtëpie. Ku edhe pse policia i arrestoi me bujë, dhe pamjet filmike tregonin lëvizjet e tyre në zonën dhe orarin e krimit, prokuroria kërkoi pushimin e çështjes në ngarkim të tyre, me arsyetimin se pamjet e kamerave të sigurisë ishin të dobëta dhe për këtë arsye nuk shërbenin si provë.

Ndërkohë që gjykata e ka kthyer sërish çështjen në prokurori duke arsyetuar se hetimet janë të paplota dhe provat nuk janë analizuar në harmoni me njëra-tjetrën.

Po kështu Adiola Lakra, e cila dyshohej se nxori në pritë të dashurin e saj Hekuran Billa, u lirua nga qelia, më herët, më 11 qershor 2021, duke u lënë nga gjykata në ‘arrest shtëpie’ ‘me detyrimin për paraqitje’.

Por afro një vit nga atentati, në qeli nuk ka mbetur asnjë nga të dyshuarit.

Me krimin që me gjasë mund të hapë një tjetër prelud gjakmarrjeje mes dy familjeve nga veriu i Shqipërisë, ku pyetjet që ngrihen janë të shumta.

Përse dështoi policia t’i mbyllte në burg të dyshuarit, kur deklaruan se kishin prova për autorësinë e tyre në krim?

Si është e mundur që kamerat nuk u dërguan jashtë vendit për ekspertizë?  Çka mund të sillte një tjetër rezultat për sa i përket hetimit të çështjes.

Kush e vrau Hekuran Billën dhe cilët ishin njerëzit e interesuar për ta eliminuar atë?!

Këto pyetje dhe shumë të tjera janë ato të cilat duhet të rëndojnë edhe sot mbi drejtësinë.

Që duhet t’i një japë përgjigje vrasjes që tronditi Tiranën, që me shumë mundësi po shkon drejt arkivimit të shpejtë si një dosje pa autor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb