NGA DORIANA BEZAT

Një sagë atentatesh e vrasjesh që duket se nuk do të mbarojë kurrë. Përplasjet mes grupeve të Jani Aliajt dhe Elton Çiços, që shkaktuan një tjetër viktimë sot në Fier, kanë nisur vite më herët. Shkak për këtë hakmarrje mes 2 tepelenasve që ka pasuar me atentate e viktima, dyshohet të ketë qenë vrasja e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços nga Jani Aliaj. Por burime nga policia thonë se shkak për këtë hakmarrje mund të jetë edhe një prishje pazaresh në fushën e narkotikëve në Greqi ku të 2 grupet nga Tepelena ushtronin aktivitetin e paligjshëm.

Në fshatin Zhabakin, në qershor të vitit 2000, Jani Alia goditi për vdekje me thikë E. Ballazhiun 20 vjeç, shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës, bashkëmoshatar i tij. Në atë moment autori i kësaj vrasjeje nuk dihej dhe Çiço ishte angazhuar për ta gjetur. Në 2003 Çiço arrestohet në Greqi dhe përballet në burg me Jani Aliajn të dy të arrestuar për drogë.

Pas një konflikti në burg Çiço plagos në ajrim me një thikë të improvizuar Aliajn. Disa kohë më vonë të dy tepelenasit përfitojnë ulje dënimi dhe dalin nga burgu grek nga ku vijojnë atentatet mes tyre edhe në Shqipëri.

Më 30 mars 2015 tre persona grabisin dhe dhunojnë në Tepelenë prindërit e Elton Çiços duke marrë një shumë të vogël parash. Grabitja kishte ndodhur pas disa punimeve duralumini që prindërit e Çiços kishin bërë në shtëpi. Çiço këtë e mori si një mesazh për të dhe jo si një grabitje të thjeshtë prandaj u betua për hakmarrje.

Pas identifikimit të 3 autorëve Çiço u vu në ndjekje të tyre.
Më 10 qershor 2015 në zonën e njohur si “Ish-këneta” në Durrës u ekzekutua Robert Rama, autor i grabitjes në Tepelenë, i shpallur në kërkim nga policia. Por fajësia e Çiços nuk u provua nga policia.
Më 4 maj 2015, autorit të dytë tq grabitjes, ai që dyshohej të kishte bërë transportin deri në shtëpinë e prindërve të Çiços, Elvis Imerit i vihet një sasi eksplozivi në makinën e marrë me qira.

Eksplozivi u vu re nga Imeri para se të ndizte makinën duke i shpëtuar kështu atentatit. Por atentatet ndaj tij vazhduan dhe në 9 dhjetor të 2015 i vihet eksploziv vëllait të tij Elton Imerit, ish-ushtarak, i cili për shkak të shpërthimit humbi njërën këmbë por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.

Më 10 janar 2016 Jani Aliaj u tentua të ekzekutohej nga Elton Çiço. Aliaj u qëllua disa herë nga një makinë në lëvizje por asnjë plumb nuk e kapi. Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur lehtë vetëm një kalimtar i rastit.

Atentatet ndaj tij vijuan dhe në Gjirokastër, ku më 25 prill 2016 përsëri u qëllua nga një makinë në lëvizje dhe mbeti i plagosur lehtë në dorë. Për ngjarjen ai nuk denoncoi në polici duke thënë se nuk kishte konflikte me njeri.

Vetëm 1 javë më vonë, më 1 maj 2016 në një lokal në Bllok ekzekutohet me 2 plumba Elton Çiço. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.
Pas vrasjes së Elton Çiços, miqtë e tij, mes tyre Andi Mustafaraj premtuan hakmarrje.

Vetëm 4 muaj pas vrasjes së Çiços, dhe pak kohë pas mesazhit të Mustafarajt, më 21 gusht të këtij viti rreth orës 15:35 në një lokal në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë iu bë atentat me armë Nelgert Patës, i cili njihet si mik dhe bashkëpunëtor i Jani Aliajt.

Për shkak të disa bimëve dekorative që kishte lokali, Nelgert Pata i shpëtoi fushëpamjes së atentatorit dhe mbeti i plagosur lehtë në vesh. Menjëherë pas ngjarjes Pata u largua në drejtim të paditur.
E njëjta skemë është ndjekur edhe në atentatin me armë ndaj Andi Mustafarajt me 28 tetor te një lokal në zonën e Ish-ekspozitës. Ai është mbajtur në vëzhgim derisa ka zbritur nga makina është ulur në kafe, dhe aty u qëllua 3 herë me armë duke mbetur i plagosur.

Vrasja e tretë është kjo e sotmja e 34-vjeçarit Nelgert Pata, mik i Jani Aliajt dhe rival i grupit të Elton Çiços. Pata u ekzekutua sot në makinën e tij dhe u gjet vetëm pak minuta më vonë nga policia. Po ashtu në periferi të Fierit policia gjeti një makinë të djegur që dyshohet se ishte e autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb