NGA KLODIANA HAXHIAJ

DURRES- Vrasja e 33-vjeçarit Ervin Kodra dhe kushëririt të tij nga Vlora, Endri Çaushaj në qendër të qytetit të Durrësit ka alarmuar policinë, e cila po heton intensivisht për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Pavarësisht kryerjes së hetimeve, ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrethrrotullimin te Torra veneciane, ka mbetur në kufijtë e misterit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bënë me dije, se në lidhje me vrasjen e dyfishtë, deri mbrëmë janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 46 persona. Ndërkohë, mësohet se 30 plumba u derdhën mbi 33-vjeçarin nga Durrësi dhe 5 plumba mbi 25- vjeçarin Çaushaj.

Sipas hetuesve të çështjes, bazuar në raportin e mjekësisë ligjore që iu është vënë në dispozicion, ka rezultuar se atentati ndaj dy të rinjve ka qenë i mirëorganizuar deri në detaje. Në këtë raport bëhet me dije se trupi i viktimës Kodra, nga mesi e lart është shoshë nga plumbat, ndërsa kushëriri i tij është qëlluar me 3 plumba në kokë dhe 2 në krahë. Për grupin hetimor, pista kryesore është ajo e një hakmarrjeje të mundshme. Kjo për dy arsye: E para për prishje të pazareve të drogës në Holandë ose, hakmarrjeje për shkak se 33-vjeçari Kodra ka qenë i dyshuar për krime kundër personit. Ndërkaq, hetuesit, në bazë të mbledhjes së provave kanë ndërtuar edhe skenën e krimit.

VRASJA E DYFISHTE
Policia e Durrësit, dje dha detaje të reja mbi atentatin e kryer rreth orës 20:45 të së dielës në lagjen nr.3. Sipas bluve, në drejtim të automjetit tip “BMW X5”, me targa AA 292 IH, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri tip automatik. Për pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shoferi dhe pasagjeri. Po të njëjtat burime thanë, se në atentat kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë dy persona. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy viktimat kanë qenë duke pirë kafe në një lokal së bashku me dajën e 25-vjeçarit Çaushaj, banues në Tiranë. Mësohet se ky i fundit është i skeduar nga policia shqiptare për trafik droge.

“Daja i 25-vjeçarit Endri Çaushaj ka qëndruar në lokal, ndërsa nipi i tij student në Tiranë, ku jetonte prej 10 vjetësh, ka shoqëruar 33-vjeçarin Ervin Kodra nga Durrësi. Dy të rinjtë, sapo kanë hipur në automjetin tip fuoristradë, me drejtues dhe në pronësi të viktimës Kodra, janë qëlluar me armë zjarri nga persona që kanë qenë në një automjet tjetër që dyshohet të ketë pasur targa false. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 33 copë gëzhoja model. 56, kalibër 7.62 mm dhe mjeti me targa AA 292 IH”, thanë burimet nga policia e qytetit bregdetar.

Blutë kanë sekuestruar filmimet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati i dyfishtë për të zbardhur momentet e krimit. Vendi ku ndodhi vrasja e Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt është ndër më të frekuentuarit nga mjetet dhe kalimtarët. Aty ndodhen kamerat e sigurisë së hyrjes së Portit, të bizneseve të shumta, një dege të ish-CEZ etj. Me gjithë dëshmitarët e shumtë, askush prej tyre nuk ka mundur të tregojë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Po të njëjtat burime sqaruan se “ekzekutorët kanë pritur në rrethrrotullim shënjestrën e tyre. Me gjakftohtësi ata kanë qëlluar dy të rinjtë nga një distancë shumë e afërt (1- 1.5 metrash). Pasi janë siguruar se personat e vënë në shënjestër kanë ndërruar jetë, vrasësit janë larguar me makinën e tyre në drejtim të rrugës ‘Egnatia’, e në vijim të rrugës së re paralel me portin, drejt Tiranës”.

HETIMET
Për hetuesit e çështjes, shënjestra ka qenë 33- vjeçari Kodra. Sipas tyre, ekzekutorët kanë qenë profesionistë të vërtetë, pasi të gjithë plumbat i kanë zbrazur mbi trupat e dy viktimave. Mësohet se policia ishte në dijeni që Ervin Kodra nuk dilte hapur në publik dhe se ruhej për shkak të konflikteve. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë si dhe kanë marrë edhe dëshmitë e dhëna nga një numër shumë i madh personash të shoqëruar.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb