Gjenden të tjera gjurmë që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Shkëlzen Kastratit. Ky i fundit u vra në një atentat në 1 shkurt në rrethrrotullimin e Sheqit në Fier. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se në Thumanë të Fushë-Krujës policia ka gjetur dhe sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga atentatorët e 42-vjeçarit.

Bezat tha për ‘BW’ se brenda automjetit janë gjetur gjurmë biologjike, të cilat janë dërguar në laborator dhe nga analizimi i tyre policia shpreson të gjejë emrat e vrasësve. Ky mjet dyshohet se i ka transportuar atentatorët nga vendi ku dogjën “Land Rover’-in deri në Fushë-Krujë. Disa të dyshuar vijojnë të mbahen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku po merren në pyetje.

Kujtojmë se gjatë natës policia ka kryer disa operacione, që u zhvilluan në 4 qytete, Fier, Durrës, Tiranë e Vlorë, për të prangosur persona të dyshuar për atentatin, teksa janë ushtruar kontrolle në disa banesa. Aktualisht janë shoqëruar disa persona në Tiranë që dyshohet të kenë lidhje me vrasjen. Kastrati u ekzekutua më 1 shkurt në hyrje të qytetit të Fierit, teksa autori përdori një armë “Scorpion” për ta vrarë teksa 42-vjeçari qarkullonte me mjet.

Një mjet “Land Rover” me targa greke u gjet i djegur në mbikalimin e Baltëzës, në Mbrostar, që dyshohet se u përdor nga autori. Nga ana tjetër u sekuestrua dhe arma e përdorur, bashkë me një silenciator.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb