Pothuajse 70% e qytetarëve të El Salvadorit favorizojnë presidentin popullor Naguib Bukele, i cili do të kërkojë një mandat të dytë në detyrë në më pak se një vit – në shkurt 2024 – sipas një sondazhi të kryer në emër të gazetës La Prensa Grafica dhe të botuar të martën, edhe pse Kushtetuta e vendit të Amerikës Qendrore ndalon shprehimisht mandate të njëpasnjëshme në presidencë.
Në shtator, zoti Bukele njoftoi se do të kërkonte rizgjedhjen në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata e Lartë, vendosi në vitin 2021 se lejohet rizgjedhja për të dytin mandat radhazi, me argumentin se është një e drejtë njerëzore e zotit Bukele.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë e vendeve të tjera, veçanërisht ajo e SHBA-së, kanë kritikuar faktin se zoti Bukele do të kërkojë rizgjedhjen, duke thënë se El Salvador vazhdon të devijojë nga normat demokratike.
Z. Bukele hedh poshtë kritikat duke kujtuar se “rizgjedhja lejohet në vendet e zhvilluara”.
Qytetarët salvadorianë mbeten të “ndarë” në pyetjen nëse Kushtetuta lejon ose duhet të lejojë rizgjedhjen e kreut të shtetit, vuri në dukje dje Prensa Grafica. “Ka qytetarë që edhe pse kanë deklaruar se janë të bindur se Kushtetuta nuk e lejon, do ta votojnë Bukelen”, ka theksuar gazeta.
Sondazhi, i kryer në shkurt, tregoi se 68% e kampionit (1500 qytetarë) janë pro rizgjedhjes së z. Bukele, 13% janë kundër dhe 19% nuk kanë asnjë opinion.
Pjesërisht, popullariteti i madh i presidentit të El Salvadorit është për shkak të “luftës kundër bandave”, të cilën ai e nisi një vit më parë dhe ka çuar në burgosjen e më shumë se 65,000 njerëzve, pas pezullimit të të drejtave kushtetuese dhe themelore nën një gjendje të jashtëzakonshme të shpallur nga Bukele. Rënia e krimit lehtësoi shumë popullsinë e terrorizuar nga bandat e rrugës.
Megjithatë, organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kritikojnë dimensionet e kësaj “lufte”, duke theksuar se njerëz të pafajshëm u dërguan në burg pa u akuzuar dhe pa u lejuar as akses tek avokatët mbrojtës, disa prej të cilëve humbën edhe jetën.
