Moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dëbore dhe ngrica ka shkaktuar probleme serioze në zonat malore të Elbasanit mbrëmjen e të enjtes. Një automjet me tre persona mbeti i bllokuar në fshatin Shmil, në zonën e Njësisë Administrative Labinot, pasi rruga u bë e pakalueshme si pasojë e borës dhe akullit. Personat e izoluar kërkuan ndihmë, por ndërhyrja rezultoi tepër e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.
Situatë problematike u raportua edhe në fshatin turistik Gjinar të bashkisë Elbasan, ku disa automjete u bllokuan në akset rrugore malore.
Sipas informacioneve, pjesa më e madhe e qytetarëve të bllokuar në rrugët e fshatrave malorë të mbuluar nga dëbora ishin nga qyteti i Elbasanit dhe kishin udhëtuar drejt këtyre zonave për turizëm dimëror, duke injoruar thirrjet e vazhdueshme të autoriteteve për përdorimin e zinxhirëve dhe pajisjeve dimërore. Mjetet pa zinxhirë u bënë shkak kryesor i bllokimit, duke vështirësuar edhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente.
Autoritetet u bëjnë sërish apel qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonave malore gjatë kushteve të motit ekstrem dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të garantuar sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.
