Gjykata e Elbasanit ka pranuar kërkesën e prokurorisë për Saimir Hasallën dhe Bledar Çullhajn duke vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të dy.

Sot, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan u zhvillua seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së ndalimit dhe arrestit në flagrancë ndaj shtetasve Denis Hasalla dhe Bledar Çullhaj, të dy nën hetim.

Denis Hasalla, 35 vjeç, me detyrë Drejtor Kabineti dhe mbikqyrës i menaxhimit të mbetjeve urbane në Bashkinë e Peqinit dhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla, u arrestua mëngjesin e të hënës gjatë një operacioni që u zhvillua në disa qytete të qarkut të Elbasanit ku u ushtruan 14 kontrolle.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak. Operacioni u krye nga Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të një vendimi të Gjykatës për lejimin e kontrolleve në kuadër të një procedimi penal të nisur që prej vitit 2024. Ky procedim është i lidhur gjithashtu edhe me hetimet mbi abuzimet financiare të kryera nga kompania “Eco Elb”.

Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua edhe Bledar Çullhaj, 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë. Seanca e sotme gjyqësore pritet të përcaktojë masat e mëtejshme ndaj dy të hetuarve, ndërsa hetimet mbi këtë çështje vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb