Policia ka zbardhur vjedhjen me armë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 12 tetorit në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Tre persona janë identifikuar dhe shpallur në kërkim, ndërsa pronari i automjetit të braktisur nga autorët është vënë nën hetim.

Sipas policisë, të dyshuarit janë M. M., 46 vjeç, banues në Lezhë, S. A., 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe N. A., 21 vjeçe, banuese në Greqi.

Ata dyshohet se kanë hyrë në një banesë në lagjen “5 Maji” dhe, nën kërcënimin e armës, kanë vjedhur një shumë parash dhe telefona celularë.

Gjatë hetimeve, policia ka identifikuar edhe pronarin e automjetit që dyshohet se është përdorur nga autorët dhe më pas është braktisur. Bëhet fjalë për A. N., 30 vjeç, banues në Tiranë dhe i afërm i 46-vjeçarit të shpallur në kërkim. Për të ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit në automjet, efektivët gjetën veshje të ngjashme me uniformat e Policisë, një thikë dhe një fenelinë.

Ndërkohë, vijojnë kërkimet për kapjen e tre të dyshuarve, si dhe hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në ngjarje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb