Reshjet e shiut që përfshinë vendin ditët e fundit kanë shkaktuar shembje dhe çarje të konsiderueshme në aksin Grekan–Shelg në Belsh. Shembjet dhe çarjet në trupin e rrugës kanë rritur ndjeshëm rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.
Dëmtimet e shfaqura në këtë segment rrugor po përparojnë gradualisht, duke sinjalizuar një degradim të strukturës mbajtëse të rrugës. Çarjet e thelluara dhe rrëshqitjet anësore kanë krijuar paqëndrueshmëri në disa pika, çka mund të sjellë pasoja serioze nëse autoritetet përgjegjëse nuk ndërhyjnë në kohë.
Përkeqësimi i mëtejshëm i gjendjes së rrugës rrezikon të izolojë banorët e disa fshatrave në Belsh, ndaj banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat përgjegjëse, për të stabilizuar trupin e rrugës, për të forcuar bazamentin dhe për të shmangur një shembje të plotë të segmentit të dëmtuar.
Punimet për aksin që lidh Belshin me Cerrikun nisën në vitin 2019 dhe përfunduan në nëntor të vitit 2023, me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe me kontraktorë kompanitë Vëllezërit Hysa, Arifi sh.p.k. dhe Denisi sh.p.k.
