DURRËS

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar nga Durrësi pas ngjarjes kriminale të ndodhur sot në Elbasan. Basha tha se nuk ka forcë, banda dhe shitblerje votash të ndalë qytetarët dhe se ne e refuzojmë dhunën, por do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim.

“Le ta shikojë e gjithë Shqipëria këtë mbrëmje të bekuar nga Zoti. E kam nisur nga skaji më lindor, Devoll, Bilisht dhe po e mbyll në skajin perëndimor, në Durrësin e lashtësisë, në Durrësin e vlerave ku buçet një thirrje bashkë për ndryshim. Këtë e di fare mirë dhe ai që për 8 vite iu la në baltë dhe është shkaktari kryesor i vuajtjeve. Ndaj ditët e fundit i është vërsulur me marifetet e vjetra, por e ka kot. Shikojeni njeri-tjetrin në sy, shikoni energjinë e pandalshme të ndryshimit që po vjen. Nuk ka forcë ta ndalë. Ne e refuzojmë dhunën, por ne do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim.

Fitorja ka zbritur në zemrat tuaja, do të jetë fitorja më e thellë dhe përgjegjësia më e madhe. Dua t’i bëj thirrje çdo shqiptari, këtu nga ky barometër i pagabueshëm i demokracisë, nga ky Durrës, i fortë dhe i gatshëm për t’u bërë lokomotivë e ndryshimit. Çohuni, mposhteni plogështinë. 25 prilli është dita juaj nëna që të ndalni lotët, dita juaj baballarë që ta ngrini kokën dhe të keni punësimin dhe pagat që meritoni, është dita juaj fermerë. Është në dorën tuaj, ju mund ta bëni ndryshimin realitet, duke votuar numrin 9”, deklaroi kreu i PD.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: