Biznesi i kultivimit dhe i tregtimit të luleve prej një dekade në Elbasan ka një zhvillim të vrullshëm pasi kërkesat për to janë rritur së tepërmi dhe vlera e këtyre produkteve në shitje dhe në treg është mjaft e shtrenjtë. Edhe pse mbizotëron kjo situatë ky lloj biznesi ka shënuar rritje të konsiderueshme pasi tashmë shqiptarët e kanë kthyer në kulturë dhurimin e luleve në raste festash, gëzimesh e hidhërimesh dhe bizneset kujdesen jashtëzakonisht shumë që ambientet e brendshme e të jashtme të zbukurohen me lule natyrale.

Gjithashtu edhe qytetet tashmë i kushtojnë rëndësi mbjelljes së luleve në të gjitha hapësirat publike.Interesi i madh i të gjithëve për lulet natyrale ka shtuar tendencën e sipërmarrësve shqiptarë për lulet natyrale.Kjo tendencë e tyre vit pas vit po bëhet mjaft e dukshme por jo kushdo mund të jetë i suksesshëm në këtë fushë edhe pse një investim nuk e humb kurrë vlerën.Elbasani është në pararojë të biznesit të luleve pasi tradita nuk mungon .Kohët e fundit pas Labinot Fushës biznesi i luleve po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në fshatin Papër të Elbasanit.

Vëllezërit Mariglen Tera dhe Marsel Tera kanë ngritur në këtë fshat një parcelë të madhe me mbi 40 mijë rrënjë lulesh, të cilat zbukurojnë shtëpi, ambiente të përbashkëta, lokale dhe qytete nga Veriu deri në Jug të Shqipërisë.

Ata me punën e tyre të palodhur kanë ngritur një sipërmartje të suksesshme ku rrisin bimët nga fidani dhe i kthejnë në lule dekorative për tregun shqiptar. Kryebashkiaku i Elbasanit i ka cilësuar një krenaria e sipërmarrjes në zonat rurale dhe një model shumë i vyer për të gjithë të rinjtë e këtyre zonave, sidomos për të rinjtë e Paprit. Kjo është një sipërmarrje që jo vetëm mbështet ekonominë familjare, por tashmë është kthyer edhe në një atraksion për zonën, duke tërhequr vizitorë dhe klientë nga e gjithë Shqipëria”, u shpreh kryebashkiaku Gledian Llatja.

Biznesi familjar, ku punojnë gjashtë anëtarë të familjes, ka rrënjë të hershme, duke nisur me babanë e dy vëllezërve, i cili dikur ishte kultivuesi kryesor i perimeve në të gjithë zonën. Sot, kjo sipërmarrje ka marrë një dimension të ri, duke u shndërruar në një nga serat dhe fidanishteve më të rëndësishme në njësinë administrative të Paprit dhe në të gjithë Elbasanin dhe Shqipërinë.

Me një sipërfaqe të konsiderueshme , kjo parcelë e mbushur me fidanë dhe lule është jo vetëm një histori suksesi, por edhe një shembull frymëzues për të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi dhe hortikulturë. Me fillimin e sezonit të shitjeve, ky biznes premton të vazhdojë të rritet dhe të japë kontributin e tij në zbukurimin e Shqipërisë. Vëllezërit Tera nga Papri i Elbasanit me punën dhe përkushtimin e tyre janë kthyer në një burim frymëzimi për të gjithë ata që e duan punën .Ata po e zgjerojnë biznesin e tyre kohë pas kohe dhe flasin vetëm me vepra.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb