Sezoni sapo ka nisur, por Elbasani është përbal lur që në javën e parë me një situatë jo të lehtë. Në ndeshjen debutuese ndaj Flamurtarit, verdheblutë kanë humbur tre titullarë të rëndësishëm për shkak dëmtimesh. Sulmuesi kryesor Ze Gomesh, mesfushori izraelit Ben Shimon dhe mbrojtësi lituanez Sigitas Olberkis kanë pësuar probleme fizike, duke shtuar menjëherë dhimbje koke për stafin teknik.

Të tre këta futbollistë munguan edhe në sfidën e javës së kaluar ndaj Egnatias, duke lënë gjithsesi një boshllëk në skuadër, edhe pse trajneri Gvozdenoviç i “përzjeu” siç duhet “kartat” që kishte në dispozicion, për të përballuar me dinjitet kampionët në fuqi të vendit. Performanca e skuadrës tregoi se grupi ka potencial dhe se alternativa ka, por mungesa e lojtarëve titullarë mbetet një problem real, sidomos në një sezon të gjatë dhe të lodhshëm.

SITUATA

Rasti më i veçantë dhe njëkohësisht më fatkeq është ai i Sigitas Olberkis. Përveçse humbi minutat me Elbasanin, mbrojtësi e pësoi edhe me kombëtaren e Lituanisë, nga e cila u la jashtë listës për shkak të dëmtimit. Një mungesë që jo vetëm prek Elbasanin në kampionat, por për vetë lojtarin përbën një goditje të madhe, pasi humbi një tjetër mundësi për të qenë pjesë e përfaqësueses së vendit të tij. Ndërkohë, për Ze Gomesh është marrë një vendim i posaçëm.

Sulmuesi është nisur drejt Serbisë, ku do të vizitohet nga Mariana, specialiste e njohur për dëmtimet muskulare dhe ortopedike, tek e cila janë drejtuar ndër vite shumë futbollistë nga Shqipëria, por edhe emra të njohur të futbollit botëror. Qëllimi është që diagnoza dhe rikuperimi të jenë sa më të shpejtë, duke shmangur çdo rrezik për komplikime, në mënyrë që portugezi të vihet sa më parë nën urdhrat e Gvozdenoviç. Për Ben Shimon situata është më e lehtë, pasi mesfushori izraelit pritet të rikuperohet brenda pak ditësh dhe të jetë gati për rikthim.

Klubi është optimist dhe burime pranë tij bëjnë me dije se asnjëri prej futbollistëve të dëmtuar nuk ka probleme serioze që mund t’i mbajnë për një kohë të gjatë jashtë fushave. Ka shpresa reale që të paktën një pjesë e tyre të rikthehet për përballjen e radhës ndaj Dinamos, ose në skenarin më të keq, të jenë gati për sfidën pasuese ndaj Partizanit.

Me pak fjalë, verdheblutë janë në luftë me kohën për të rikuperuar sa më shumë me blutë e kryeqytetit, me të cilët nuk kanë pasur histori të mira vitin e kaluar. Ky start i vështirë me dëmtime është një sinjal për Elbasanin, që ndonëse ka treguar një fytyrë të re dhe një lojë premtuese në javën e parë, duhet të përballet paralelisht edhe me sfidën e ruajtjes së grupit sa më të plotë. Një kampionat i gjatë, me objektiva të qarta për Europë dhe konsolidim në Superiore, kërkon jo vetëm formë të mirë sportive, por mbi të gjitha shëndet dhe vazhdimësi nga lojtarët kyç.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb