Pas situatës së rënduar të shkaktuar nga zjarri që përfshiu për disa ditë landfillin e Elbasanit në fillim të korrikut, opozita në Këshillin Bashkiak thirri këtë javë një mbledhje të posaçme ku ka kërkuar interpelancë me drejtuesit e kompanisë ECO ELB, e cila menaxhon grumbullimin e mbetjeve në qytet.

Këshilltarët kërkuan informacion të detajuar mbi shkaqet e zjarrit si dhe për arsyet e mosfunksionimit të inceneratorit, i cili ndodhet aktualisht jashtë pune dhe nën hetim. Administratori i ECO ELB, z. Leli Kaja, në përgjigje të pyetjeve të këshilltarëve u shpreh se situata është kritike dhe se kapacitetet e landfillit janë tejkaluar.

“Zjarri, sipas gjykimit tonë, është shkaktuar nga shkaqe natyrore, por u takon institucioneve ligjzbatuese të hetojnë dhe të nxjerrin përfundimet përfundimtare,” – deklaroi ai.

Kaja tha gjithashtu se ka bërë vazhdimisht shkresa drejtuar institucioneve qendrore dhe ministrive për të kërkuar zgjidhje, por deri më tani pa rezultat. Ai kritikoi edhe mungesën e bashkëpunimit politik në nivel lokal: “Këshilli Bashkiak, as i majtë e as i djathtë, nuk janë bërë asnjëherë bashkë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Situata është e rëndë dhe kërkon përgjegjësi të përbashkët.”

Për herë të parë, këshilltarët e të dyja krahëve politikë dolën me një qëndrim të unifikuar, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për krizën mjedisore në Elbasan. “Ndërkohë që ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit mbetet nën hetim, duhet të gjendet një zgjidhje alternative. Elbasani nuk mund të kthehet në koshin e mbeturinave të vendit,” – thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb