Ekipi i Elbasanit po kalon një moment delikat në kampionat, në një fazë ku çdo hap i gabuar po kushton shtrenjtë në garën për vendin e parë.
Verdheblutë po hasin vështirësi të dukshme për të shkuar te fitorja në ndeshjet e fundit, ndërsa ajo që bie më shumë në sy është fakti se këto ndalesa kanë ardhur pikërisht përballë skuadrave që luftojnë për mbijetesën. Paradoksalisht, ekipet që mbyllin ose ndodhen në fundin e klasifikimit po i kthehen në një “makth” Elbasanit. Statistikat e tre ndeshjeve të fundit janë domethënëse: humbja 3-2 ndaj Bylisit, barazimi 1-1 me Tiranën dhe një tjetër ndalesë po me të njëjtin rezultat ndaj Flamurtarit.
Tre kundërshtarë që luajnë për mbijetesë, por që kanë arritur t’i marrin pikë një skuadre që synon majën. Në vend që këto përballje të shfrytëzoheshin për të konsoliduar pozitat në krye, Elbasani ka humbur terren dhe ka lënë pas vetes pikë të çmuara. Problemi nuk qëndron vetëm te rezultatet, por edhe te mënyra se si po vijnë ato. Në disa momente, skuadra duket se e ka të vështirë të menaxhojë presionin përballë ekipeve që luajnë “me thikë në dhëmbë”, pa asgjë për të humbur. Këto kundërshtarë po tregohen më agresivë, më të vendosur dhe shpesh po e detyrojnë Elbasanin të dalë nga ritmi i zakonshëm i lojës.
MUNGESA E LULAJT – Një tjetër problem i madh që është evidentuar qartë në këto tre ndeshje lidhet me fazën mbrojtëse dhe golat e pësuar. Elbasani ka pësuar plot pesë gola në tre takime, një shifër e lartë për një ekip që është konsideruar si një nga mbrojtjet më të mira të kampionatit dhe që, deri pak javë më parë, kishte pikërisht prapavijën armën e tij më të fortë. Shkaku kryesor duket se lidhet me mungesën e kapitenit Bruno Lulaj. Për arsye dëmtimi, ai nuk ka qenë i pranishëm në këto tre ndeshje dhe mungesa e tij është ndjerë jo vetëm në aspektin taktik, por edhe në atë psikologjik. Pa Lulajn në fushë, mbrojtja ka humbur sigurinë, organizimin dhe qetësinë që e karakterizonte.
Rastësi apo jo, por në këto tre takime pa kapitenin, Elbasani jo vetëm që nuk ka arritur të fitojë, por ka pësuar edhe pesë gola. Përvoja dhe autoriteti i Lulajt në prapavijë duket se janë elementë thelbësorë për balancën e skuadrës. Ai është pika e referimit për shokët e repartit dhe mungesa e tij ka sjellë pasiguri, gabime në pozicionim dhe vështirësi në menaxhimin e momenteve kyçe të ndeshjeve. Situata mbetet ende në pikëpyetje edhe për përballjen e radhës ndaj Egnatias, pasi aktivizimi i Lulajt nuk është i sigurt. Kapiteni vijon të ketë shqetësime në këmbë dhe stafi mjekësor po tregohet i kujdesshëm për të mos rrezikuar një përkeqësim të gjendjes së tij. Megjithatë, rikthimi i tij shihet si vendimtar për të rikthyer stabilitetin dhe besimin në skuadër.
