Për të rritur edhe më shumë mbështetjen ndaj ekipit, drejtuesit e klubit të Elbasanit pritet të ndërmarrin një nismë të veçantë: dhurimin e biletave falas për femrat në ndeshjet që do të zhvillohen në “Elbasan Arena”.
Kjo iniciativë synon jo vetëm të shtojë numrin e tifozëve në stadium, por edhe të rikthejë një traditë të veçantë që ka dalluar historikisht tifozërinë elbasanase. Elbasani njihet për një traditë unike në futbollin shqiptar – praninë e madhe të femrave në shkallët e stadiumit. Shumë tifozë kujtojnë me nostalgji periudhën kur ekipi i qytetit, nën drejtimin e presidentit të ndjerë Arben Laze, dominonte futbollin shqiptar.
Në atë kohë, në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” ishte e zakonshme që të paktën 500 femra të ishin të pranishme në çdo ndeshje, ndërsa në disa raste numri i tyre arrinte deri në 2000, një rekord që sot duket pothuajse i pabesueshëm.
Kjo nismë pritet të zbatohet që në ndeshjen e radhës ndaj Egnatias, një përballje direkte dhe mjaft e rëndësishme për objektivat e sezonit. Klubi synon që atmosfera në “Elbasan Arena” të jetë sa më e zjarrtë dhe mbështetja nga tribunat të bëjë diferencën në një duel që mund të ndikojë ndjeshëm në garën për titull.
Drejtuesit synojnë që kjo të mos mbetet një iniciativë e përkohshme, por të shndërrohet në një traditë të re për ndeshjet në vijim, duke afruar gjithnjë e më shumë familjet dhe sidomos vajzat e gratë pranë ekipit. Një stadium më i mbushur dhe më gjithëpërfshirës konsiderohet si një nga elementët kyç për suksesin e skuadrës në fazën vendimtare të kampionatit.
