Klubi i Elbasanit duket se ka hyrë në një fazë të re, jo vetëm në aspektin sportiv, por sidomos në mënyrën si po menaxhohet.

Pas rikthimit në elitën e futbollit shqiptar, me synimin për t’u stabilizuar në Superiore, drejtuesit verdheblu po përpiqen të ndërtojnë një projekt që respekton rregullat dhe logjikën e futbollit modern. Shenja më e qartë e kësaj qasjeje është rasti i afrimit të sulmuesit Fatjon Bunjaku, për të cilin klubi ka bërë një investim serioz dhe jo të zakonshëm për realitetin shqiptar. Ose, më saktë, e bëjnë vetëm ato klube që kanë plane dhe projekt afatgjatë dhe duket se Elbasani hyn në rangun e tyre.

PRECEDENTI “BUNJAKU” – Për transferimin e Fatjon Bunjakut, Elbasani ka shpenzuar plot 50 mijë euro, shumë e konsiderueshme për një klub që deri para dy vitesh nuk ishte pjesë e elitës. Kartoni i sulmuesit është blerë nga Malisheva, klubi kosovar që kishte në pronësi të drejtat e lojtarit. Ajo që e bën edhe më interesante këtë lëvizje është fakti që Malisheva ka mbajtur një përqindje të kartonit, duke e trajtuar si një marrëveshje me vizion afatgjatë për të dyja palët, një formulë e njohur në tregjet profesioniste. Ky transferim nuk është i rëndësishëm vetëm për peshën e lojtarit në fushë, por edhe për filozofinë që Elbasani po ndjek. Klubi nuk po e sheh më veten vetëm si një skuadër që konkurron çdo fundjavë për rezultat, por si një strukturë ekonomike që prodhon dhe menaxhon vlerë. Investimi për Bunjakun mund të rezultojë i suksesshëm në të dyja aspektet, sportive dhe financiare, sidomos nëse lojtari arrin të shpërthejë dhe më pas të shitet. Afrimi i tij ishte i pari duke blerë kartonin, diçka që nuk kishte ndodhur për Elbasanin më herët, duke bërë që tani për ta të nisë një “erë” e re.

HAPI I RADHËS – Deri më tani, Elbasani nuk ka realizuar ende ndonjë shitje zyrtare të lojtarëve të vet. Por ky është një proces që po përgatitet dhe mbetet për t’u parë nëse sezoni 2025-2026 do të jetë edhe ai i hapave të parë në këtë drejtim. Nëse ndonjë prej elementëve të rinj, veçanërisht ata me profil ndërkombëtar që janë afruar këtë verë, arrijnë të bien në sy, mund të jetë koha që Elbasani të regjistrojë edhe të ardhurat e para nga tregu i transferimeve, një tjetër sinjal që ndan një klub normal nga një strukturë moderne. Rasti “Bunjaku” është më shumë sesa një rast i veçuar: është një deklaratë e qartë që Elbasani nuk është më një klub që varet nga rasti apo entuziazmi sezonal. Me një trajner serioz si Ivan Gvozdenoviç në stol, një grup lojtarësh që po ndërtohet me kujdes dhe tani edhe me një qasje tjetër në menaxhim, Elbasani synon që të kthehet jo vetëm në një emër me histori, por edhe në një klub që luan sipas rregullave të kohës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb