Elbasani dhe Vllaznia ndahen në barazim 1-1 në javën e dytë të Superiores, në një sfidë që prodhoi raste, gola dhe shumë polemika, veçanërisht në fundin e saj. Shkodranët gjetën të parët avantazhin dhe administruan rezultatin, ndërsa Elbasani reagoi në pjesën e dytë, duke barazuar me ish-lojtarin e Vllaznisë, Hebajn.

Drama u zhvendos në minutat e fundit. Vllaznia shënoi dy herë, por të dy golat u anuluan për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it. Vendimet sollën protesta të forta nga kampi shkodran, me pretendime për gjykimin.

Por polemikat nuk përfunduan me vërshëllimën e fundit. Federata Shqiptare e Futbollit reagoi zyrtarisht për incidentin e ndodhur pas ndeshjes, duke deklaruar se presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, kishte goditur fizikisht asistentin e arbitrit, Ergys Spahiu. FSHF e dënoi me forcë ngjarjen dhe bëri të ditur se çështja do t’i kalojë organeve disiplinore, të cilat do të marrin vendimin përkatës.

Postimi Fshf
 

Vllaznia reagoi disa orë më vonë, duke e cilësuar si shqetësuese mënyrën se si Federata e paraqiti akuzën si një fakt të kryer, ndërkohë që vetë organet disiplinore ende nuk kishin dhënë një vendim.

“Akoma më shqetësues është fakti se, disa orë më vonë, vetë Federata Shqiptare e Futbollit, përmes faqes së saj zyrtare, publikoi një qëndrim ku përmend nominalisht Presidentin e KF Vllaznia dhe e paraqet akuzën ndaj tij si një fakt të kryer, ndërkohë që në të njëjtën deklaratë njofton se organet kompetente disiplinore do të procedojnë dhe do të marrin vendimet e tyre “në pavarësi të plotë”., thuhet ndër të tjera në qëndrimin e klubit Shkodran.

Klubi shkodran kërkoi që procedimi të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe i bëri thirrje presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për adresimin e situatës.

Postimi Vllaznia

Edhe presidenti Alban Xhaferri reagoi publikisht, duke komentuar polemikat për dy golat e anuluar dhe duke e cilësuar problematikën si pjesë të një sistemi më të gjerë.

Postimi Presidenti Vllaznise

Ndërkohë, Elbasani reagoi përmes një deklarate zyrtare vetëm mëngjesin e kësaj të diele, duke mohuar që ndonjë pjesëtar i stafit apo person nën përgjegjësinë e klubit të ketë ushtruar dhunë pas ndeshjes.

Klubi verdheblu kërkoi që për çdo akuzë të paraqiten fakte konkrete, duke i cilësuar pretendimet e bëra ndaj tij si të pabazuara dhe duke theksuar se nuk do të heshtë përballë tyre.

Njoftimi Elbasani

Elbasani-Vllaznia, një ndeshje e mbyllur në fushë me shifrat 1-1, por që vijoi jashtë saj me polemika, akuza dhe reagime publike, ndërsa tashmë pritet vendimi i organeve disiplinore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb