Pas eliminimit nga Bolonja në Superkupën e Italisë, trajneri i Interit Christian Chivu u shpreh:
“Nuk kam asgjë për të cilën t’i qortoj djemtë, as nuk kam ndonjë keqardhje. Pashë një performancë të shkëlqyer, veçanërisht në pjesën e dytë. Ishte një ndeshje e mirë kundër një kundërshtari të fortë. Fatkeqësisht, kur nuk shënon, mund të përfundosh pa fituar. Dhe kur shkon te penalltitë, je i destinuar edhe të humbasësh.”
Tekniku zikaltër nuk u shfaq I penduar që mbajti Akanjin, Calhanoglu dhe Lautaro Martinez në stol, edhe pse këtë të fundit e aktivizoi 20 minuta.
“Kemi ambicie të mëdha, por edhe një kalendar të ngjeshur në janar. Nuk mund të përballojmë të humbasim lojtarë. Unë kurrë nuk do të kisha marrë vendime duke u bazuar vetëm në finalen e mundshme. Thjesht duhej të mbaja mend se skuadra po vinte nga një seri prej tetë ndeshjesh brenda 26 ditësh. Dhe dikush duhej të pushonte.”
Gjatë ndeshjes, Chivu u ankua shpesh tek gjyqtari i katërt, por deklaratat e trajnerit pas ndeshjes ishin mjaft të qeta.
“Nuk jam i interesuar të flas për gjyqtarët; VAR u prezantua posaçërisht për t’i ndihmuar ata. Ne vetëm duhet të mendojmë për veten tonë, si të përmirësohemi, të kthehemi në rrugën e duhur, sepse e kemi mundësinë.”
