NGA FATMIRA NIKOLLI*

Jam shumë e lumtur! Është mrekulli të ecësh i pari në sfilatën e finalistëve! Tani është koha të mendoj për finalen!”. Kështu është shprehur mbrëmë për ‘GSH’ këngëtarja Elhaida Dani, pasi Shqipëria kaloi në finalen e Festivalit Europian të këngës që po mbahet në Vjenë.

“Jemi të lumtur sigurisht! Sepse besoj që kemi bërë të lumtur shqiptarët kudo! Jemi një popull i vogël me një zë të madh! Tani kemi punë shumë! Të jemi po aq të denjë për finalen! Faleminderit të gjithë shqiptarëve që votuan!”, shtoi Martin Leka, drejtor i RTSH, pas vlerësimit me vota të këngës “I am alive”. Leka u shpreh se “tashmë ndihemi të fituar”.
Këngëtarja shqiptare ka mahnitur publikun me interpretimin e saj dje në mbrëmje.

Pas lajmit për finalen, delegacioni shqiptar në Vjenë brohoriste dhe komunikimi me ta ka qenë i vështirë. Kënga me tekst te Sokol Marsit dhe muzikë të Zapp&chriss ka bërë për vete pothuaj të gjitha shtetet ku është prezantuar. Ndërkohë blogjet dhe sajtet e ndryshe e kanë parë si një prej pretendenteve kryesore. Pos kësaj, mbrëmë kanë vërshuar urimet nga emra të njohur të artit shqiptar që e kanë mbështetur atë.
KOMENTET
Pas performancës së Elhaidës në Eurovizion, nuk kanë munguar as komentet. ‘BBC’ shkruante dje në faqen e saj në “Facebook”: “Shumë e këndshme të shohësh një këngëtare që nuk ka frikë nga një pelerinë pas ‘incidentit të Madonës’ #Shqipëria#Eurovizion2015”, duke komentuar veshjen e shqiptares dhe sigurinë e saj në skenë. E ndërsa këngëtarja Vesa Luma hedh dyshime mbi procesin e votimit në Eurovizion, Stefi postoi këtë shënim: “Eurovizioni është shumë i vështirë dhe i paparashikueshëm. Mendoj se Elhaida sot kishte shumë emocione, por është normale në atë skenë gjigante. Ajo që vura re si mangësi te kënga jonë, ishte baza orkestrale më e ulët dhe backvocal-et të thata dhe pa energji. Mjaft me krahët që vendosin dhe nuk përcjellin estetikisht dhe vizualisht këngën. Elhaida ishte e vetme me zërin dhe talentin e saj”. Finalja është të shtunën.

 

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: