NGA: JETON SELIMI
De Biazi ende nuk e ka ndarë mendjen për titullarët që do të hedhë në fushën e lojës këtë të hënë në përballjen e parë të vlefshme për fushatën eliminatore për Kupën e Botës, që do të zhvillohet verën e vitit 2018 në Rusi. Në stërvitjen e paradites, seanca e vetme e parashikuar për këtë të premte, Kombëtarja shqiptare është përqendruar te puna taktike. Trajneri Xhani De Biazi ka eksperimentuar pothuajse gjatë gjithë kohës me rreshtimin e skuadrës dhe emrat e lojtarëve, që ndryshonin vazhdimisht pozicionet në fushën e lojës.

E paprekur nga drejtuesi i stolit kuqezi mbetej porta, me Etrit Berishën që është titullari i padiskutueshëm dhe mbrojtja, me katërshen e repartit difensiv, që duket e pandryshuar. Elseid Hysaj në krahun e djathtë, Gjimshiti përkrah Mavrajt në qendër dhe Ansi Agolli, që rikthehet në krahun e majtë, pasi u la pushim nga stafi teknik në miqësoren ndaj Marokut. Stërvitja e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” zgjati 90 minuta, me lojtarët kuqezi që fillimisht punuan të ndarë në grupe, ndërsa më pas u zhvillua një ndeshje testuese brenda grupit. Pikërisht në lojën e kontrollit, De Biazi nuk i ka kursyer eksperimentet, duke u përqendruar te rreshtimi i skuadrës në fushë, për të qenë taktikisht perfekt ndaj ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe asgjë të mos i lihet rastësisë në debutimin e Kombëtares në kualifikueset e “Botërorit 2018”.

Gjatë testit, trajneri ka bërë ndryshime të vazhdueshme në mesfushë dhe në sulm, ku titullarët e miqësores me Marokun në këto reparte u rreshtuan përballë titullarëve të mbrojtjes. Për të gjetur golin ndaj ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë nevojitet volum i madh loje në mesfushë, vertikalizime dhe dalje të shpejta nga krahët. Kjo është arsyeja përse trajneri De Biazi po shqyrton të gjitha alternativat që ka në dispozicion, për ta nisur Grupin G kualifikues me fitore, çka do ta bënte më të lehtë atmosferën për ndeshjet në vijim.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb