Vrasja e Nemesio Rubén “El Mencho” Oseguera Cervantes, kreut të Kartelit të Gjeneratës së Re Jalisco, sipas një analize të publikuar nga The Economist, mund të shënojë një fitore simbolike për qeverinë meksikane dhe një sinjal të fortë drejt Uashingtonit.
Por ajo rrezikon të hapë një cikël të ri dhune në një vend që prej dekadash përballet me plagën e krimit të organizuar.
Më 22 shkurt, forcat speciale meksikane ndërmorën një operacion për kapjen e një prej figurave më të kërkuara të botës së narkotrafikut. “El Mencho”, 59 vjeç, ish-polic dhe lider i një prej dy kartelëve më të fuqishëm të vendit, vdiq nga plagët e marra gjatë shkëmbimit të zjarrit. Operacioni u mbështet nga inteligjenca amerikane dhe u përshëndet si një goditje e rëndësishme ndaj trafikut të drogës, përfshirë fentanilin që hyn në tregun amerikan.
Por, siç vëren The Economist, suksesi taktik mund të prodhojë pasoja strategjike të rrezikshme. Presidentja Claudia Sheinbaum ka qenë kritike ndaj të ashtuquajturës “strategji e kapove” — eliminimit të krerëve të kartelëve — pikërisht sepse ajo ka treguar se shpesh çon në fragmentim të organizatave kriminale dhe përplasje të brendshme të përgjakshme. Historia e Meksikës ka dëshmuar se sa herë një lider i madh bie, hapet një betejë për trashëgiminë, e cila përkthehet në rritje të vrasjeve.
