TIRANE

Premiera e dokumentarit “Emancipimi i turmave” me regji të Ervin Lerës u prezantua në kinema “Millenium” disa ditë më parë. Kohështrirja e këtij dokumentari sjell në vëmendje jo vetëm ngjarjet më të rëndësishme që kanë përshkruar vendin tonë, protesta apo marshime politike, por edhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare nga regjimi komunist deri në ditët e sotme.

Regjisori që sjell protestat e studentëve të dhjetorit në vitin 1990, eksodin shqiptar apo hapjen e ambasadave, masakrat e pazbardhura në 2 prill të vitit 1991 në Shkodër, rebelimin e shqiptarëve në vitin 1997, e pa harruar veçanërisht protestat e studentëve në vitin 2018, na rrëfen arsyet, se përse ka zgjedhur që të realizojë një dokumentar për “Emancipimin e turmave”.

Regjisori sjell një dokumentar vërtetë interesantë të rëndësishëm që synon të japin një përgjigje se si janë manipuluar në përgjithësi turmat në vendin tonë pas luftës së dytë botërore. Në një intervistë për emisionin “Chic” të Fjodora Fjorës në News 24 regjisori Ervin Lera na tregon më shumë rreth këtij dokumentari që sapo ka pasur prezantimin e tij të parë që synon të bëhet pjesë e festivaleve por edhe përballjen me publikun më të gjerë.

“Nuk është thjesht një shpërthim emocional i imi është dhe një përmbledhje e bisedave që në bëjmë me njëri tjetrin në kafe apo nëpër korridoret e institucioneve ku ankohemi për mënyrën si na trajtojnë. Këtu e përjashtoj pak por jo të gjithën dhe ndikimin e jelekverdhëve për frymëzimin, mund të ishte frymëzim për t’u ulur dhe për ta shkruar si projekt. Pas luftës së dytë botërore ka pasur turma në Shqipëri por jo këto turma protestash që shohim sot jo vetëm në vendin tonë por dhe në botë.

Ata protestojnë jo për vete por ngrihen të drejtuar nga grupime apo organizime të ligjshme për të përmbushur pretendimet e tyre. Çfarë ndodh në qoftë se ngrihemi për interesa te drejtpërdrejta që një tërësi individësh ose një tërësi interesash të përfaqësuara nga ata të realizojnë atë që kanë nevojë në të vërtetë. Dhe këtë për herë të parë, ose për herë të dytë se edhe protestën e dhjetorit në vitet 90 studentët e ngritën, e arritën studentët në vitin 2018. Më habit shumë pjekuria dhe vendosmëria e tyre deri në momentin kur me shumë dashakeqësi u përça nga politika.

Për këtë dokumentar më është dashur të lexoj shumë, të dëgjoj shumë, të konsultohem shumë dhe për këtë falenderoj shumë Përparim Kabon, profesor Afrim Krasniqin dhe publicistin, mikun tonë Arben Andoni. Filmi në të vërtetë është një përshtatje e filozofisë së filozofit spanjoll, José Ortega y Gasset ku ai flet për turmat, shpjegon se si ndërtohet, si orientohet, si organizohet turma dhe pastaj se si vet organizohet dhe se si vetë shpërbëhet turma dhe kjo ndoshta ma ka lehtësuar disi punën.

Unë kam marr një rrezik që e mbyll filmin dokumentar me një epilog, e cila nga ç’kam mësuar nga miqtë e mi kineast është e rrezikshme dhe këtë epilog ia dedikoj studentëve të 2018-ës.

Duke plotësuar të gjithë projektin kam shkruar dhe disa qëndrime emocionale të miat për dokumentarin normale pasi përfundoi. I kam hyrë dhe punës për ta prezantuar filmin dokumentar edhe në festivale ndërkombëtare dhe është përgjegjësi e shtëpise filmike që t’i bëjë një shpërndarje shumë dinjitoze.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb